U dekorua nga Zelensky, Spiropali: Shenjë e kontributit të palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali i dërgoi sot një letër falenderimi presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, pasi ky i fundit e dekoroi me çmimin e lartë shtetëror “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë”.
Nëpërmjet letrës së postuar në rrjetet sociale drejtuar presidentit Zelensky, Spiropali shkruan se “e përjetova me mirënjohje dhe emocion nderin e lartë të Urdhrit Shën Olga, Klasi i Parë, që është akorduar nga Shkëlqesia Juaj, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës”.
Sipas kryeparlamentares, “ky vlerësim në emrin tim është mbi të gjitha shenjë respekti për kontributin dhe qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës në këtë kohë të vështirë”.
“Populli shqiptar, Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe mbeten të bashkuar e të vendosur në mbështetje të Ukrainës. Ky qëndrim buron nga zemra e çdo qytetari shqiptar, nga besimi ynë tek liria, dinjiteti dhe e drejta e një kombi për të jetuar i pavarur dhe për të vendosur vetë për të ardhmen e tij”, shkruan Spiropali.
Më tej Spiropali nënvizon se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një zë i qartë e i fuqishëm në mbrojtje të parimeve dhe vlerave demokratike euroatlantike.
“Ne do të vijojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës, ashtu si deri tani. Do të mbështesim të gjitha përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Presidentit të SHBA-së, udhëheqësve europianë, NATO-s dhe botës demokratike për ndalimin e luftës dhe vendosjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë”, shkruan Spiropali.
Spiropali falënderon Zelensky-n për “nderin e jashtëzakonshëm”.
“Uroj dhe besoj vendosmërisht se shumë shpejt do të festojmë fitoren e plotë të Ukrainës ndaj agresorit”, e përmbyll reagimin kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
/m.q/r.e/