“As kanuni nuk e përligj vrasjen e gruas”, ekspertja pas vrasjes në Lezhë: Më të drejtë zakonore, “gruaja nuk preket”

“Gruaja nuk preket”! Ky është një nga rregullat e vendosura dhe të zbatuara në kanunet e Veriut apo Jugut të Shqipërisë, të cilat funksiononin kur shoqëria nuk ishte e organizuar dhe e civilizuar.
“Nuk mund të preket një grua, qoftë edhe për atë që ata e quajnë gjakmarrje, apo për arsye të tjera. Gruaja është një institucion më vete; është nëna e fëmijëve, është motra e dikujt dhe jo vetëm gruaja e dikujt”, tha juristja Vera Istrefaj.
Vera Istrefaj, Juriste në profesion dhe aktiviste e të drejtave të grave e vajzave, thotë se në kanune vrasja e grave nuk përligjej.
“Referuar kanuneve, qofshin ato të veriut apo të jugut, gruaja brenda familjes ishte disi më e kufizuar. Ndërsa, sa i takon pozicionit jashtë familjes, ajo ishte më e mbrojtur”, tha ajo.
Por çfarë shkruhet në kanune për vrasjen e gruas?
“Për gruan, tokën, burri jep kokën. Toka lidhej me konceptin e atdheut. Gruaja është në besë të fisit të prindërve dhe të fisit të burrit. Çmimi i integritetit, jetës dhe sigurisë së gruas nuk lidhej vetëm me një familje, por me të gjithë shoqërinë”, nënvizoi ajo.
Shoqëria vetë, Istrefaj thotë se kishte vendosur penalitete të rënda për këdo që guxonte të vriste një grua apo fëmijë.
“Nuk mund të çohej mendja që të vriteshin fëmijë dhe gra. Së pari, kjo konsiderohej një turp shumë i madh. Ata që binin në nivele të tilla, edhe nëse ndodhte pa dashje, leçiteshin dhe largoheshin bashkë me familjen, fisin dhe të afërmit, sado të largët të ishin”, tha Istrefaj.
Të dielën e shkuar në Lezhë mbeti e vrarë Getjana Muleci dhe pista kryesore ku po punojë autoritetet është vrasja për hakmarrje ndaj bashkëshortit të saj, Kreshnik Mujecit, i cili po ashtu mbeti i vrarë nga të shtënat e plumbave në drejtim të tyre.
Gazetare: FluturaTota
/rtsh.al/