Asgjësohen 1 mijë bimë narkotike në Fier, arrestohet një shtetas

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme dhe hetimeve të kryera me metoda proaktive në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve, në vendin e quajtur “Fushat e fshatit Povelçë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjetën të kultivuara 1000 bimë, të dyshuara narkotike kanabis.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike, shtetasi E. Gj., 48 vjeç, banues në Pojan, i cili u arrestua për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Në lidhje me këtë rast u procedua penalisht edhe babai i shtetasit E. Gj., shtetasi E. Gj., 77 vjeç, i dyshuar i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 2 krehëra dhe 14 fishekë luftarakë.
Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies. Po ashtu, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
/m.m//r.e/