E Martë, 3 Nëntor 2026

Muzikë pas orarit të lejuar, procedim penal dhe gjobë 400 mijë lekë për pronarin e lokalit në Radhimë

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe komisariatet në varësi po vijojnë kontrollet intensive në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për monitorimin e subjekteve që organizojnë aktivitete me muzikë, në shkelje të kufijve të lejuar të zhurmës ose në kundërshtim me orarin e përcaktuar për muzikë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, në Radhimë, u konstatua një lokal që gjeneronte muzikë pas orës 24:00. Për këtë shkelje, u vendos menjëherë masa administrative gjobë me vlerën prej 400 000 lekësh.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, ndaj shtetasit B. B., 57 vjeç, banues në Radhimë, pronar i lokalit.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon ndaj të gjithë administratorëve të subjekteve që të respektojnë kufijtë e lejuar të zhurmës dhe orarin e përcaktuar për muzikë, për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për pushuesit dhe banorët.

/m.m//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›