Atentatet kriminale në vend, Kapri: Askush nuk ka mbajtur përgjegjësi morale e politike

Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka folur lidhur me ngjarjet kriminale që kanë ndodhur gatë javëve të fundit në vend, ku shtoi se edhe pas këtyre atentateve mafioze Ministrja e Brendshme nuk ka mbajtur asnjë qëndrim dhe përgjegjësi morale dhe politike.
“Ministrja e Brendshme u mburr ne fillim të muajit nëntor se kemi numrin më të ulët të vrasjeve në Shqipëri duke thënë se jemi një nga vendet më të sigurta në Evropë. Pa kaluar 30 minuta nga kjo deklaratë, në Rinas, në vendin më të ruajtur në Shqipëri, ndodh një ekzekutim mafioz, ku dy persona humbën jetën. Gjatë këtij muajit ka pasur edhe disa ngjarje të tjera kriminale që tregojnë se sa larg jemi ndaj një vendi të sigurt. Vetëm në 30 ditë kemi 4 ngjarje të rënda kriminale dhe nuk e kuptoj si ministrja ka guximin të thotë se jemi një vend i sigurt”, tha Kapri.
Kapri theksoi se krimi i organizuar ka mbështetje politike, ndërsa tha se drejtori i Policisë së Shtetit duhet të jepte dorëheqjen.
“Krimi i organizuar në këtë vend ka aq shumë siguri dhe mbështetje politike. Nuk pati asnjë përgjegjësi për këtë, asnjë analizë. Refuzon drejtori i policisë të jap dorëheqjen dhe ministrja të mbajë një qëndrim. Ka rënë siguria kombëtare. Nuk e di si ministrja e Brendshme nuk mban një qëndrim për këto ngjarje kriminale. Çështja e kriminalitetit ka kapur një pikë ku duhet një vëmendje tjetër dhe duhet në zgjidhje politike”, tha ai.
/rtsh.al/