Atentati në Elbasan/ U vra me dy plumba në kokë, autorët qëlluan nga makina, shoqërohen në polici 10 persona

Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi atentatin që tronditi mbrëmjen e djeshme qytetin e Elbasanit, ku u qëllua për vdekje 43-vjeçari Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla.
Sipas informacioneve nga gazetari Enes Molla, biznesmeni Hyka sapo kishte dalë nga zyra e karburantit të tij dhe ishte futur në automjetin tip Range Rover në momentin që një makinë tip Audi e zezë i është afruar duke e qëlluar brenda mjetit.
Dy plumbat e marrë në kokë, rezultuan fatale për 43-vjeçarin Hyka. Ndërkohë autorët fill pas atentatit janë larguar në drejtim të Librazhdit, ndërsa ende nuk bëhet me dije identiteti i tyre.
Të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për këqyrjen e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.
Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.
Për hetimin e pistave që do të çojnë drejt identifikimit e kapjes së autorëve, po merren në pyetje familjarë të viktimave dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për atentatin.
Ndërkohë sa i përket viktimës Edmond Hyka, ai rezulton me precedentë penalë të mëparshëm në Itali dhe Shqipëri. Viktima dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale në shtetin italian për shitje të lëndëve narkotike.
Gjithashtu dy vite më parë, ai është shoqëruara nga Policia e Elbasanit për armëmbajtje pa leje, ndërsa pas kontrollit që i është bërë mjetit, i janë gjendur dhe shkopa bejsbolli në bagazhin e makinës.”
“Rreth orës 20:35, është marrë njoftim se në lagjen “Emin Matraxhiu”, brenda në një automjet të parkuar, është gjetur, i vrarë me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H., 43 vjeç.
Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë dhe janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit, dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhej në njoftimin e lëshuar mbrëmjen e djeshme nga policia.
/rtsh.al/