Autoriteti Portual Durrës pjesë e Javës së Transportit Ujor 2026 në Sarajevë - ATSH -
TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Autoriteti Portual Durrës mori pjesë në “Javën e Transportit Ujor 2026”, aktivitetin ndërkombëtar të organizuar nga Komuniteti i Përhershëm i Transportit në Sarajevë (Bosnjë-Hercegovinë).
Nën moton “Lidhim transportin, lidhim njerëzit”, aktiviteti bëri bashkë përfaqësues të institucioneve evropiane, autoriteteve të transportit dhe partnerëve rajonalë, me fokus zhvillimin e një transporti ujor më të sigurt, më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.
Në kuadër të Takimit të 18-të të Komitetit Teknik për Transportin Ujor dhe Multimodal, përfaqësuesi i Autoritetit Portual Durrës, Vegim Hoti, prezantoi një panoramë të situatës aktuale të Portit të Durrësit, arritjet e deritanishme dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve portuale.
Pjesëmarrja e Autoritetit Portual Durrës në këtë forum ndërkombëtar dëshmon angazhimin institucional për forcimin e bashkëpunimit rajonal, shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen e nismave që synojnë modernizimin e sektorit portual dhe integrimin e tij në rrjetet evropiane të transportit.
/e.i/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
