Balla takon kreun e Dhomës së Deputetëve të Rumanisë: Anëtarësimi në BE, objektiv strategjik kombëtar - ATSH -
TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Në kuadër të vizitës zyrtare në Bukuresht (Rumani), kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Rumanisë dhe njëkohësisht presidentin e Partisë Socialdemokrate, Sorin Grindeanu.
Në fokus të bisedës ishte agjenda e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe rëndësia e ruajtjes së ritmit të negociatave, si dhe roli i parlamenteve në avancimin e reformave dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi rëndësinë e mbështetjes së partnerëve evropianë në këtë proces historik, duke shprehur gjithashtu pritshmërinë që, pas përfundimit të negociatave, parlamenti rumun të ratifikojë sa më shpejt marrëveshjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Anëtarësimin në BE, Balla e cilësoi si një objektiv strategjik kombëtar, që kërkon angazhim të qëndrueshëm, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë.
Në këtë vizitë, Balla shoqërohet nga deputetët e Partisë Socialiste, Ermal Elezi dhe Loer Kume.
/m.q/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
