E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoriteti i Konkurrencës: Huamarrësit të zgjedhin pa kufizime kompaninë e sigurimit të jetës për kreditë

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj bankave tregtare në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës për kreditë.

Në përfundim të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka provuar shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe nuk ka ndërmarrë ndëshkime për asnjë nga subjektet e hetuara.

Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur si masë detyruese ndaj bankave që të lejojnë shprehimisht që çdo huamarrës të ketë të drejtë të përzgjedhë kompaninë ku do të kryejë sigurimin e kërkuar të jetës për kredinë bankare.

Bankat janë urdhëruar të ndryshojnë dispozitën përkatëse të kontratës tip të kredisë dhe t’i njohin kredimarrësit të drejtën për të siguruar jetën në secilën nga shoqëritë e sigurimit të licensuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Vendimet përcaktojnë si masë detyruese që secila bankë të hartojë dhe zbatojë, për çdo kredimarrës një formular të vetëm, në të cilin të pasqyrohen ofertat e të gjitha shoqërive të sigurimit, sipas propozimit të primit nga secila shoqëri sigurimi.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›