E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Qarkullimi i parasë fizike i kushton vendit 1,7% të PBB-së

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Shqipëria po ecën drejt një ekonomie më moderne dhe tërësisht digjitale, teksa Banka e Shqipërisë thekson se tranzicioni drejt reduktimit të parasë fizike (cash) duhet të bëhet me kujdes, gradualisht dhe me ndërgjegjësim të gjerë shoqëror.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kufizimi i përdorimit të parasë fizike nuk mund të ndodhë menjëherë, pasi qytetarëve dhe bizneseve u duhet kohë për t’u përshtatur me mënyrat e reja të pagesave.

Ledia Bregu, drejtore e Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, në një intervistë për mediet tha se çdo masë duhet marrë duke vlerësuar nivelin aktual të qarkullimit të parasë fizike.

Sipas saj, procesi kërkon kohë të mjaftueshme që qytetarët të përqafojnë një model të ri pagesash, ndërsa kufizimet e vendosura duhet të përgjigjen nevojave reale të jetesës së individëve.

Bregu theksoi se reduktimi i parasë fizike është tashmë i domosdoshëm, pasi përdorimi i tij rezulton i kushtueshëm për ekonominë shqiptare.

“Studimet e fundit të Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore tregojnë se qarkullimi i parasë fizike i kushton vendit rreth 1,7% të PBB-së, shumë më tepër se pagesat elektronike”, u shpreh Bregu.

Ajo shtoi se kalimi drejt pagesave digjitale do të sjellë kosto më të ulëta, efikasitet më të madh dhe më shumë transparencë në ekonomi, duke bërë më të lehtë monitorimin dhe kontrollin e transaksioneve.

Megjithatë, vuri në dukje ajo, ky proces shoqërohet me rreziqe, ku më kryesori lidhet me nivelin e ulët të edukimit financiar. Sipas Bregut, mungesa e njohurive mund të rrisë rrezikun e mashtrimeve dhe të keqpërdorimit të të dhënave në hapësirën digjitale.

Në paketën fiskale 2026, qeveria ka parashikuar uljen e limitit të transaksioneve me para fizike për bizneset nga 150 mijë në 100 mijë lekë, si dhe ka vendosur për herë të parë një kufizim prej 500 mijë lekësh për veprimet që individët mund të kryejnë me cash. Gjithashtu, të gjitha bizneset do të jenë të detyruara që nga viti 2026 të instalojnë pajisje për pagesa elektronike.

Procesi i reduktimit të parasë fizike shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të ekonomisë, por mbetet i lidhur ngushtë me ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe forcimin e sigurisë në përdorimin e shërbimeve digjitale.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›