E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit mundëson njohjen e diplomave për studimet e kryera online jashtë vendit

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Avokati i Popullit bëri me dije sot, se kushdo që ka kryer një shkollim jashtë vendit përmes programeve online mund ta njohë atë si diplomë në Shqipëri.

Sipas Avokatit të Popullit, ky proces përfshin shkollimet online në vendet e BE-së, në SHBA, Britani e Madhe, Kanada, Japoni, Norvegji, Izrael, Zvicës, Islandë, Australi dhe Turqi.

Rasti i studentit Suad H. ka shërbyer si shkëndijë për një ndryshim sistemik që prek çdo shqiptar që studion në universitetet më prestigjioze të botës pa lënë shtëpinë.

“Suadi përfundoi me sukses studimet Bachelor për Kriminologji dhe Drejtësi Penale në “University of Essex” në Angli. Megjithëse diploma e tij njihej 100% në shtete si Malta, Suedia e madje edhe në SHBA, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) në Shqipëri refuzonte ta njehsonte atë”, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit, duke parë se si standardet ndërkombëtare po shkeleshin nga një udhëzim i brendshëm, institucioni i drejtoi një rekomandim zyrtar Ministrisë së Arsimit, ku kërkohej të ndryshohej udhëzimi dhe të njiheshin diplomat dhe gradat shkencore për programet online.

Sipas Avokatit të Popullit, në qershor të vitit 2025, Ministria e Arsimit dhe QSHA konfirmuan zyrtarisht pranimin e Rekomandimit dhe ndryshimin e kuadrit ligjor.

“Ky nuk është më vetëm suksesi i Suadit. Falë kësaj ndërhyrjeje, Avokati i Popullit realizoi një të drejtë sistemike: Çdo student shqiptar që ka kryer apo do të kryejë studime online jashtë vendit, tashmë ka rrugën e hapur për njohjen e diplomës së tij në atdhe”, thuhet në njoftim.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›