E Hënë, 2 Nëntor 2026

Avokati i Veliajt kërkon kohë në GJKKO, prokurori Ols Dado e konsideron të papranueshme kërkesën

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk ishte i pranishëm në seancën e katërt në GJKKO, duke vazhduar leximin e akteve hetimore nga qelia. Avokati i tij, Plarent Ndreca, kërkoi dy javë kohë për të njohur dosjen, duke argumentuar se ende nuk i është dhënë në mënyrë elektronike dhe mungojnë 24 fashikuj. Kjo kërkesë ka shkaktuar përplasje mes mbrojtjes dhe prokurorit Ols Dado, i cili nuk ishte dakord me këtë pretendim të mbrojtjes.

“Është e papranueshme kërkesa për dhënie kohe për Plarent Ndrecën, pasi ai ka pasur mundësinë për ta njohur dosjen më parë. Procesi gjyqësor është respektuar sipas ligjit, dhe ai ka pasur mundësi të komunikojë me klientin e tij”, është shprehur Ols Dado, Prokuror i Posaçëm.

Në seancën e GJKKO-së, 7 të pandehur, 3 shoqëri dhe 1 OJF kërkuan veçimin e çështjeve të tyre, shpalljen e moskompetencës dhe gjykim të shkurtuar, duke argumentuar se disa vepra penale i përkasin gjykatave të tjera dhe se faktet janë të pavarura nga të tjerët. SPAK kundërshtoi këto kërkesa, duke theksuar se procedimi është i lidhur dhe kompetenca i takon Gjykatës së Posaçme. Prokurori Dado ra dakord vetëm me ndarjen e çështjeve për gjykim të shkurtuar.

Gjatë seancës për dosjen e Veliajt, u zhvilluan debate për caktimin e avokates kryesore për gardianin e pezulluar Fatjon Baci, Pranvera Doci, e cila nuk ishte e njohur me dosjen. Avokati i Ajola Xoxës, Maks Haxhia, e kritikoi këtë vendim, duke e quajtur procesin “qesharak” dhe duke kërkuar që seanca të mos zhvillohej pa njohje të dosjes. Përgjigjja erdhi nga prokurori i SPAK, Ols Dado, i cili i tha Haxhisë se nuk është kryetar i dhomës dhe se mund të flasë vetëm si mbrojtës ligjor.

Kjo seancë përfshin 28 të pandehur dhe shoqëri, ku Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›