E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Krijoni sa më parë qeverinë, na duhet një partner për të folur

Në konferencën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, ambasadori i BE Aivo Orav  ka deklaruar se  unionit  i duhet një  partner  që të mund të bisedojë për hapat konkretë drejt integrimit. Ndaj ai ka bërë thirrje për formimin  e qeverisë.

“Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere – presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ambasadori Orav.

Orav përsëriti se  heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar, por theksoi se duhet bashkëpunim i ngushtë për të ecur përpara.

“Masat ndaj Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ishte këtu vetëm para disa ditësh dhe ajo njoftoi se heqja graduale e masave kundër Kosovës ka filluar. Por për të ecur përpara, na duhet qartësisht një bashkëpunim shumë i mirë dhe i ngushtë me autoritetet këtu”, tha ambasadori.

Ndër të tjera shefi i zyrës së BE-së tha se asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet  të trajtohet me seriozitet dhe  pa vonesa.

Sakaq ambasadori gjerman në Kosovë deklaroi se Prishtina nuk duhet të shohë se çfarë bën fqinji i saj, por duhet të kryejë detyrat e veta.

“Mendoj se kemi nevojë edhe për mendësi ndryshe. Dje fola me një anëtar të qeverisë në detyrë, dhe i thashë se ka shumë çështje në lidhje me anëtarësimin në BE, ndër to dhe çështja e përftimit të politikave për vizat. Ai më tha se Serbia nuk e bën, nuk e bëjmë as ne. Kjo nuk është serioze”, tha ambasadori Rohde.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar asnjë raund të dialogut politik që nga shtatori i vitit 2023, për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve./vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›