Kosova numëron seancat e dështuara, prova e radhës e deputetëve në datën 29 maj

Deputetët e Kosovës, dështuan sërish të konstituojnë Kuvendin edhe në përpjekjen e 22-të këtë të martë.
Dështimi për të bërë funksional Parlamentin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Dështimet e njëpasnjëshme vijojnë njësoj pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve.
Edhe në seancën e kësaj të marte, deputetët refuzuan formimin e komisionit për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të ri.
“Nuk e di edhe sa herë duhet të paraqesim qëndrimin e LVV-s녔, tha Albulena Haxhiu.
Pas seancës, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se procedura po përdoret për qëllime te tjera.
“Duhet marrëveshje politike, nuk është çështje procedurale. Procedura po përdoret për të komplikuar dhe për të shpërfaqur një betejë artificiale – kush i ka fajet dhe kush nuk i ka fajet. E vërteta është e vetme dhe është e thjesht, i ke 48 deputetë, a e dinë çfarë fuqie politike është me i pas 48 deputetë, dhe nuk je në gjendje të ulesh me dikë për zgjidhje për të bërë shumicë dhe thua që nuk është urgjencë, kjo tregon qartë se në çfarë gjendje jemi. Mos pritni prej LDK-së magji, se nuk bëjmë gjëra të tilla”, tha Abdixhiku.
Ndërkohë Fatmir Limaj nga Nisma tha se nuk është i interesuar për të bërë qeveri.
“Besoj që ne e kemi bërë të qartë, Nisma është e gatshme për partneritet në parlament… Sepse i kemi arsyet tona, tani për tani nuk jemi të interesuar për qeveri, ashtu siç kemi thënë mbrëmë”, tha Limaj.
Seanca e rradhës do të vazhdojë të enjten e 29 majit./vizionplus.tv