E Diel, 1 Nëntor 2026

BEJRUT – Hezbollahu pranon planin amerikan për ndalimin e sulmeve me Izraelin

BEJRUT, 1 qershor /ATSH-DPA/ – Lëvizja islamike Hezbollah ka pranuar një propozim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndërprerjen reciproke të sulmeve me Izraelin, njoftoi sot presidenca e Libanit, duke sinjalizuar një përpjekje të re për uljen e tensioneve në rajon.

Sipas një deklarate të publikuar nga presidenca libaneze, marrëveshja parashikon ndërprerjen e sulmeve izraelite ndaj periferive jugore të Bejrutit, në këmbim të ndalimit të sulmeve të Hezbollahut kundër Izraelit.

Masa do të zbatohet fillimisht në zonën Dahijeh, bastioni kryesor i grupit të mbështetur nga Irani.

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, tha se presidenti amerikan Donald Trump e kishte informuar ambasadoren libaneze në Uashington, Nada Hamadeh Moawad, se edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte dhënë miratimin për planin.

Presidenca libaneze bëri të ditur se autoritetet e vendit kanë marrë konfirmimin zyrtar për pranimin e propozimit nga Hezbollahu, ndërsa synimi është që armëpushimi të zgjerohet gradualisht në të gjithë territorin e Libanit.

Zhvillimi vjen pas përshkallëzimit të ndjeshëm të tensioneve mes Izraelit dhe Hezbollahut gjatë ditëve të fundit.

Bisedimet mes delegacioneve izraelite dhe libaneze, të planifikuara për nesë dhe të mërkurën në Uashington, pritet të fokusohen në hapat e mëtejshëm për zbatimin e marrëveshjes dhe stabilizimin e situatës. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›