PARIS – Franca sekuestron një anije cisternë e lidhur me eksportet ruse të naftës

PARIS, 1 qershor /ATSH-AFP/ – Franca njoftoi sot se kishte ndaluar në Oqeanin Atlantik një anije cisternë nafte të lidhur me Rusinë, ndërsa Kremlini e cilësoi operacionin si një akt që i afrohet “piraterisë ndërkombëtare”.
Anija”Tagor” u ndalua në ujëra ndërkombëtare me mbështetjen e Britanisë së Madhe dhe partnerëve të tjerë, pasi kapiteni rus refuzoi t’u bindet urdhrave të autoriteteve franceze.
Presidenti francez Emmanuel Macron publikoi pamje që tregonin komando franceze duke zbritur nga një helikopter mbi anije.
Sipas autoriteteve franceze, anija cisternë dyshohet se transportonte naftë ruse ose iraniane në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare. Anija raportohet të ketë lidhje me biznesmenin iranian Mohammad Hossein Shamkhani dhe ishte nisur nga Murmansk drejt Limbe.
Autoritetet thanë se anija lundronte në mënyrë të paligjshme nën flamurin e Kamerunit. Praktika e ndryshimit të shpeshtë të flamujve, e njohur si “flag-hopping”, përdoret shpesh nga anijet e ashtuquajturës “flotë në hije” për t’iu shmangur kontrollit dhe sanksioneve.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, reagoi duke deklaruar se veprimi francez është i paligjshëm dhe se Rusia po merr masa për të garantuar sigurinë e ngarkesave të saj.
Ndërkohë, Britania e MAdhe konfirmoi se një helikopter ushtarak britanik ndihmoi në gjurmimin dhe monitorimin e cisternës gjatë operacionit.
Anija me 23 anëtarë ekuipazhi po shoqërohet nga marina franceze drejt një zone ankorimi për kontrolle të mëtejshme. Prokuroria e qytetit Brest ka hapur hetim penal për mosprovimin e kombësisë së anijes, mungesën e një flamuri të vlefshëm dhe mosrespektimin e urdhrave të autoriteteve.
Që nga shtatori, Franca ka ndaluar katër anije të dyshuara si pjesë e “flotës në hije” të Rusisë, e përdorur për të anashkaluar sanksionet perëndimore ndaj eksporteve të saj të naftës. Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, afro 600 anije të tilla janë aktualisht nën sanksione. /Ad.Ab./