BERLIN – Merz përjashton përfshirjen e ushtarëve gjermanë si pjesë e një force ndërkombëtare stabilizimi në Gaza

BERLIN, 10 tetor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka përjashtuar përfshirjen e ushtarëve gjermanë në Gaza -si pjesë e një force të mundshme stabilizimi.
Në një deklaratë të lëshuar sot në mëngjes, Merz tha se Gjermania do të mbështeste zbatimin e armëpushimit në Lindjen e Mesme dhe procesin e paqes – duke përfshirë edhe përcaktimin e mundshëm të udhëzimeve për një forcë ndërkombëtare në terren.
“Ne duam të ndihmojmë në krijimin e kuadrit ligjor për një prani të tillë, për shembull përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit”, tha ai.
Në deklaratë, ai renditi një numër hapash që Gjermania mund të ndërmarrë në lidhje me procesin e paqes, duke përfshirë, ndihmën e menjëhershme humanitare prej 29 milionë eurosh, një ftesë të përbashkët me Egjiptin në një konferencë ndërkombëtare për rindërtimin e Gazës dhe pjesëmarrjen e Gjermanisë në këshillin e propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump – për të mbikëqyrur një qeveri të ardhshme të përkohshme në Rripin e Gazës.
“Qeveria gjermane do të rishikojë procesin e saj të autorizimit – për eksportin e pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Gaza”, tha ai.
“Gjermania është e bindur se zgjidhja me dy shtete ofron perspektivat më të mira për një të ardhme paqësore për izraelitët dhe palestinezët”, tha Merz.
Izraeli dhe grupi islamist palestinez “Hamas” ranë dakord, këtë javë për miratimin e fazës e së parë të marrëveshjes së paqes të propozuar nga SHBA-ja.
Faza e parë përfshin armëpushimin dhe lirimin e të burgosurve dhe pengjeve.
Në një fazë të dytë të negociatave, do të krijohen kushtet që do të sigurojnë paqen në planin afatgjatë. Sipas marrëveshjes, atje mund të vendoset edhe një forcë ndërkombëtare stabilizimi. //a.i/