Rritet tregu i sigurimeve, AMF: 9,5% më shumë të ardhura për periudhën janar–gusht 2025

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) publikoi të dhënat zyrtare për ecurinë e tregut të sigurimeve për periudhën janar–gusht 2025, duke evidentuar rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit kapën vlerën 17.9 miliardë lekë, ose 9.53% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Gjithashtu, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,116,204, duke shënuar një rritje prej 6.12% krahasuar me një vit më parë.
Tregu vijon të dominohet nga sigurimet Jo-Jetë, të cilat përbëjnë 91.57% të volumit total të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës zënë 8.40% dhe risigurimi përfaqëson vetëm 0.026% të tregut.
Në ndarjen sipas llojit të sigurimit: Sigurimet e detyrueshme përbëjnë 61.84% të totalit të tregut dhe sigurimet vullnetare zënë 38.16%
Gjatë kësaj periudhe, dëmet e paguara bruto arritën në 5.47 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 2.27% krahasuar me janar–gusht 2024.
Ndërkohë, dëmet e paguara në sigurimin motorik arritën në 4.19 miliardë lekë, duke regjistruar një rritje prej 2.59%.
Të dhënat e publikuara tregojnë një zhvillim pozitiv të tregut të sigurimeve, si në drejtim të rritjes së mbulimit me sigurim, ashtu edhe në forcimin e besimit të qytetarëve dhe bizneseve ndaj këtij sektori financiar. e.xh/j.p/
