BERLIN – Wadephul: Evropa ka ndikim në bisedimet SHBA-Iran

BERLIN, 27 qershor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul theksoi se beson që evropianët janë në një pozicion të fortë për negociata të mundshme me Iranin mbi programin e tij bërthamor.
“Ne kemi një kartë shumë të mirë në duart tona”, tha Wadephul në mbrëmje në një talk show në transmetuesin publik gjerman ZDF.
Ai tha se evropianët mund të shkaktojnë sanksione kundër Teheranit duke përdorur të ashtuquajturin mekanizëm rikthimi, i cili sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 nga e cila presidenti i SHBA-së Donald Trump u tërhoq në vitin 2018 mund të aktivizohet në rast të “mosrespektimit të konsiderueshëm” nga Irani.
Britania, Franca dhe Gjermania – të ashtuquajturat shtete E3 – nënshkruan marrëveshjen bërthamore të Iranit 10 vjet më parë, e cila zyrtarisht skadon këtë tetor, megjithëse nuk po zbatohet më në mënyrë efektive.
“Ne kemi një kartë të vërtetë të fortë. Uashingtoni e di këtë dhe ne do ta përdorim atë në një mënyrë të koordinuar”, tha ai.
Deri në tetor, nënshkruesit evropianë ruajnë aftësinë për të rivendosur sanksionet e mëparshme, më të ashpra të OKB-së kundër Iranit përmes mekanizmit të rikthimit pa hasur rezistencë të konsiderueshme.
Kjo u jep qeverive evropiane një levë të rëndësishme për të ushtruar presion, edhe nëse ato nuk janë drejtpërdrejt në tryezën e negociatave me Iranin për programin e tij bërthamor./ /os/