E Diel, 1 Nëntor 2026

BERLIN – Wadephul: Libani nuk duhet të kthehet në “teatër lufte”

BERLIN, 6 maj /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul paralajmëroi Izraelin që të mos e zgjidhë konfliktin me milicinë “Hezbollah” – të mbështetur nga Irani –  në kurriz të civilëve në Liban.

“Libani nuk duhet të kthehet në teatër lufte”, tha Wadephul gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, në Berlin.

“Është e papranueshme që brezi i ri në vendin fqinj të Izraelit të rritet mes rrënojave të shtëpive të prindërve të tyre”, tha ai, duke shtuar se kjo nuk do ta bënte Izraelin më të sigurt.

Në të njëjtën kohë, ai dënoi sulmet e Hezbollahut ndaj Izraelit, në termat më të ashpra të mundshme – dhe i bëri thirrje qeverisë libaneze, e cila nuk është vetë palë në konflikt – të ndërmarrë veprime vendimtare kundër milicisë.

“Ne jemi të bindur se çelësi për stabilizimin e Libanit qëndron në forcimin e shtetit libanez”, tha Wadephul.

“Nevojitet një marrëveshje për të mbrojtur civilët në të dyja shtetet”, shtoi ai.

“Bisedimet e para të drejtpërdrejta libanezo-izraelite pas disa dekadash japin arsye për shpresë”, theksoi ai.

Sa’ar theksoi se Izraeli është serioz në lidhje me negociatat me Libanin.

Në të njëjtën kohë, ai tha se banorët në veri të Izraelit po jetojnë në një realitet të padurueshëm përballë sulmeve të Hezbollahut.

Ministri i Jashtëm izraelit e bëri gjithashtu të qartë, edhe një herë, se Izraeli nuk ka ambicie territoriale në Liban.

“Prania e Izraelit në jug të Libanit shërben vetëm për të mbrojtur qytetarët izraelitë”, tha ai.

Izraeli ka krijuar atë që e quan një zonë sigurie në jug të Libanit, e përshkruar nga udhëheqja libaneze si një pushtim i territorit të saj kombëtar.

Pavarësisht një armëpushimi formalisht në fuqi, sulmet e ndërsjella midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut vazhdojnë.

Duke komentuar situatën në Rripin e Gazës, Wadephul tha se furnizimet humanitare duhet të përmirësohen urgjentisht.

“Është e nevojshme që, Izraeli të heqë kufizimet e importit për furnizimet për punonjësit e ndihmës humanitare”, tha ai.

Izraeli ka deklaruar se po kufizon dërgimin e mallrave në zonën bregdetare që mund të përdoren gjithashtu për ndërtimin e armëve.

Një armëpushim midis Izraelit dhe organizatës ekstremiste Hamas është në fuqi prej më shumë se gjashtë muajsh.

“Stabilizimi i Gazës i shërben gjithashtu sigurisë së Izraelit”, theksoi Wadephul.

“Situata në territorin palestinez, i cili është shkatërruar gjerësisht gjatë luftës, nuk duhet të lihet në harresë mes konfliktit në Iran”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, Wadephul këmbënguli për çarmatosjen e Hamasit, të rënë dakord në planin e paqes të udhëhequr nga SHBA-ja, një kusht që është refuzuar nga grupi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›