Drejt përfundimit shtresa e dytë asfaltike në Urën e Bahçallëkut në Shkodër

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Punimet në segmentin rrugor Kthesa e Bërdicës–Ura e Bahçallëkut, në Shkodër, po avancojnë me ritme të qëndrueshme, ndërsa po përfundon shtresa e dytë asfaltike. Autoritetet synojnë përfundimin e një pjese të rëndësishme të këtij projekti përpara sezonit turistik, duke lehtësuar trafikun dhe aksesin në zonat turistike të Shkodrës.
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e së mërkurës pamje nga kantieri i punës, i cili po transformon hyrjen e Shkodrës.
“Po përfundon shtresa e dytë asfaltike në këtë segment të rëndësishëm në hyrje të Shkodrës, një investim që përmirëson ndjeshëm qarkullimin dhe rrit sigurinë për qytetarët dhe vizitorët”, shkruan Rama.
Segmenti, që shtrihet nga Harku i Bërdicës deri te Ura e Bahçallëkut, përbën një nyje të rëndësishme hyrëse në Shkodër, duke ndërlidhur kryeqendrën e veriut me akset drejt dy pikave kufitare me Malin e Zi.
Projekti përfshin zgjerimin e rrugës dhe përmirësimin e standardeve sipas kategorisë D, si dhe ndërtimin e një ure paralele për lehtësimin e qarkullimit. Punimet kanë arritur në rreth 65% të realizimit fizik. Nga pikëpamja e lëvizshmërisë, ndërhyrja pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun dhe të rrisë aksesin në disa lagje të qytetit.
Ndërkohë, vijojnë punimet për ndërtimin e urës së re, e cila pritet të ndikojë në disiplinimin e trafikut në drejtim të Tiranës.
Paralelisht, po kryhen edhe shpronësimet e fundit, për të mundësuar vijimin e punimeve sipas afateve të parashikuara.
/a.f/