E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Blair: I nderuar të jem pjesë e Bordit të Paqes të Trump për Gazën

LONDËR, 17 janar /ATSH-DPA/ – Ish-kryeministri britanik, Tony Blair tha sot se është i nderuar që emërohet pjesë e një ekipi që do të jetë pjesë integrale e përpjekjeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump për të rindërtuar Gazën.

Blair u rendit së bashku me zyrtarë të profilit të lartë të administratës Trump si pjesë e një “bordi ekzekutiv themelues” për të udhëhequr përpjekjet afatgjata të paqes në Lindjen e Mesme, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë të premten.

Ky do të jetë krahu operativ i Bordit të Paqes, i cili do të kryesohet nga Trump dhe udhëheqës të tjerë botërorë në detyrë që ende nuk janë emëruar.

Presidenti i SHBA-së e quajti atë “Bordi më i madh dhe më prestigjioz i mbledhur ndonjëherë në çdo kohë, në çdo vend”.

Zyrtarët e listuar përfshinin sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të dërguarin special për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner.

Ish-i dërguari special i OKB-së, Nickolay Mladenov, u emërua gjithashtu në bord, së bashku me miliarderin Marc Rowan, presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe zëvendëskëshilltarin e sigurisë kombëtare të SHBA-së, Robert Gabriel.

“Falënderoj presidentin Trump për udhëheqjen e tij në themelimin e Bordit të Paqes dhe jam i nderuar që u emërova në bordin e tij ekzekutiv”, tha Blair.

“Ka qenë një privilegj i vërtetë të punoj me Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe ekipin e tyre të shkëlqyer. Pres me padurim të punoj me ta dhe kolegë të tjerë në përputhje me vizionin e presidentit për të promovuar paqen dhe prosperitetin”, theksoi ai./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›