Rama: Grup pune mes qeverisë dhe bashkive për sfidat e anëtarësimit në BE

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e informimit, vetëdijesimit dhe angazhimit të bashkive për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Gjatë një takimi me kryebashkiakët në Golem, kreu i qeverisë nënvizoi se disa nga sfidat janë komplekse, duke përmendur veçanërisht fushën e mjedisit.
“Bashkimi Evropian ka një mekanizëm që u mundëson vendeve të reja anëtare, të përfitojnë periudha tranzitore, për të qenë gati, për t’iu nënshtruar të njëjtave rregulla”, vuri në dukje Rama.
“Sfida më e rëndë që janë përballur dhe vende të tjera para nesh, ka qenë fusha e mjedisit. Nëse gjithçka do shkojë sipas planit të dakordësuar me Komisionin, dhe nëse ne do të jemi të aftë mjaftueshëm që t’i mbyllim negociatat në fund të 2027, do duhen edhe dy vite për të bërë ratifikimin me vendet anëtare dhe në 2030 Shqipëria do ulet në tryezën e Bashkimit Evropian, do ketë edhe 10 vjet plus të tjera për të qenë gati t’i nënshtrohet rregullave të BE-së lidhur me mjedisin. Pra, 15 vjet nga sot. Duken shumë, por janë pak vite”, tha Rama.
Një tjetër sfidë sipas kreut të qeverisë është siguria ushqimore.
“Ne duam një fazë 5-vjeçare tranzitore për sigurinë ushqimore. Kjo do të thotë se gjatë fazës tranzitore të mos jesh në gjendje të mos eksportosh, por je i lejuar të konsumosh vetë. Pastaj, pas fazës tranzitore, të mos jesh në gjendje të konsumosh as vetë, asgjë nga ato që prodhon këtu dhe nuk janë njësh standardi me Bashkimin Evropian, sepse nuk je më një treg në vete, je pjesë e një tregu me 450 milionë njerëz. Do t’i nënshtrohesh atij tregu”, theksoi Kryeministri.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm sot për këtë, që fermerët, sipërmarrjet tona në fshat të jenë të qartë, nëse nuk janë gati duhet të mbyllin qepenin. Kaq e thellë është nevoja për transformim dhe kaq e thellë duhet të jetë mirëkuptimi për sfidat. Duhet të jemi të vetdijshëm dhe kërkon anagzhim në nivelin vendor”, tha Rama.
Ai theksoi nevojën për angazhim në nivel vendor dhe për krijimin e një grupi pune të përbashkët mes qeverisë dhe bashkive për sfidat e procesit të integrimit në BE.
“Duhet të krijojmë një grup pune i përbashkët midis qeverive dhe bashkive për të trajtuar këto probleme. Në këtë grup të ishte ministri i Pushtetit Vendor i cili do ta drejtojë dhe nga ana e qeverisë të ishte ministri i Ekonomisë, i Turizmit, ndërsa nga ana juaj të ishte kryetari i Bashkisë Lezhë, Maliq, Shkodër, Himarë, Durrës, Roskovec”, tha Rama.
/m.q/j.p/