E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Londra thërret ambasadorin iranian dhe planifikon sanksione të reja

LONDËR, 13 janar /ATSH-DPA/ – Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper thërriti sot ambasadorin e Iranit në Londër për shkak të shtypjes së protestave në vend dhe shpalli sanksione të reja ndaj regjimit iranian.

Cooper i tha Parlamentit se raportet mbi dhunën e ushtruar nga qeveria iraniane ndaj protestuesve gjatë javëve të fundit mund të mos pasqyrojnë plotësisht ashpërsinë e situatës dhe se realiteti mund të jetë edhe më i rëndë.

Ajo tha se kishte biseduar dje me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duke shprehur kundërshtimin e fuqishëm të Britanisë së Madhe ndaj vrasjeve, dhunës dhe represionit.

Sipas saj, po planifikohen sanksione të plota dhe të mëtejshme ndaj sektorëve iranianë të naftës, energjisë, bërthamor dhe sistemit financiar.

Cooper theksoi se vendimi për të thirrur ambasadorin u mor për të kërkuar shpjegime mbi raportet tronditëse dhe për të nënvizuar seriozitetin e momentit.

Sipas raportimeve, mijëra persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë arrestuar, ndërsa aktivistët kundër regjimit të udhëhequr nga lideri suprem Ali Khamenei kanë dalë në rrugë për të protestuar.

”Britania e Madhe dënon me termat më të ashpër vrasjet e tmerrshme dhe brutale të protestuesve iranianë dhe kërkon që autoritetet iraniane të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të tyre”, tha ajo./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›