E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënstacion i ri 110/20 kV në Kamzë, siguron energji të qëndrueshme për gjashtë zona

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Punimet për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/20 kV në Kamzë po vijojnë me ritme të shpejta. Ky investim strategjik, synon të përmirësojë furnizimin me energji elektrike, të rrisë sigurinë e rrjetit dhe të garantojë shërbim më cilësor për qytetarët e zonës.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli ndau në rrjete sociale pamje nga ky investim, teksa u shpreh se, “projekti i ri do të sigurojë energji të qëndrueshme dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe bizneset”.

Investimi përfshin: 2 transformatorë, 41 kabina dhe 30 kilometra rrjet 20 kilovolt.

Ky projekt realizohet me mbështetjen e qeverisë dhe financimin e Qeverisë Gjermane përmes KfW, duke u konsideruar një investim strategjik për forcimin e rrjetit energjetik dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.

Nënstacioni i ri do të shërbejë për zonat: Fushë-Kamzë; Valiasin e Ri; Valiasin e Vjetër; Laknasin; Lagjen Lura dhe Lagjen 6, Bathore.

“Ky investim është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të rrjetit energjetik dhe përmirësimit të shërbimit për qytetarët. Ai do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe do të minimizojë ndërprerjet e energjisë elektrike në zonë”, tha kryetari Suli.

Projekti pritet të përfundojë në periudhën e ardhshme dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e komunitetit në bashkinë e Kamzës.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›