E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Reynolds: Qeveria “thellësisht e përkushtuar” për njohjen e Palestinës

LONDËR, 24  korrik  /ATSH-DPA/ – Qeveria e kryeministrit britanik Keir Starmer është “thellësisht e përkushtuar” për njohjen e një shteti palestinez, tha një anëtar i kabinetit të tij.

Sekretari për Biznesin, Jonathan Reynolds, theksoi se një hap i tillë duhet të jetë domethënës dhe të ndodhë si pjesë e një “lëvizjeje të vërtetë drejt një zgjidhjeje me dy shtete dhe një marrëveshjeje afatgjatë për paqe” me Izraelin.

Starmer po përballet me presion në rritje për të përmbushur premtimin e Partisë Laburiste për të njohur Palestinën.

“Ne jemi thellësisht të përkushtuar për njohjen e Palestinës si shtet, gjë që ishte pjesë e manifestit tonë, por, natyrisht, duam që kjo të jetë domethënëse”, i tha Reynolds  radios “LBC”.

“Tani për tani, nuk ekziston një shtet palestinez. Nuk ka një marrëveshje politike mes dy territoreve kryesore palestineze në Bregun Perëndimor dhe Gazë. Kemi ndërmarrë hapa të tjerë përballë situatës së papranueshme në Gazë. Kemi vendosur sanksione ndaj dy ministrave të kabinetit izraelit. Personalisht kam ndaluar eksportet e armëve drejt Izraelit që mund të përdoren në konfliktin në Gazë”, shtoi ai

“Kemi pezulluar bisedimet me Izraelin për një marrëveshje më të avancuar tregtare dhe marrëdhënie ekonomike. Pra, kemi ndërmarrë këto hapa të menjëhershëm. Dhe ne duam të shohim Palestinën të njihet. Dua që kjo të jetë domethënëse. Dua që të ndodhë në bashkëpunim me partnerët, me vende të tjera anembanë botës”, përfundoi Reynolds. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›