E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Starmer pret Zelensky përpara takimit SHBA-Rusi në Alaskë

LONDËR, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer do të presë sot në një takim presidentin ukrainas në “Downing Street”, ndërsa Evropa përgatitet për rezultatin e bisedimeve mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, këtë javë.

Takimi i kryeministrit britanik me Volodymyr Zelensky vjen pasi ai tha se Britania e Madhe ishte e gatshme të rriste presionin ndaj Rusisë nëse ishte e nevojshme.

Ndërkohë, Trump kërcënoi Rusinë me “pasoja të rënda” nëse udhëheqësi i saj refuzon armëpushimin.

Gjatë një telefonate dje me presidentin amerikan dhe aleatët evropianë, Starmer vlerësoi  Trump për punën e tij për të sjellë një mundësi “të realizueshme” për t’i dhënë fund luftës.

Gjithashtu, janë ngritur shqetësime për përjashtimin e Zelensky nga takimi midis Trump dhe Putin, i cili pritet të zhvillohet nesër në Alaskë.

Kryeministri britanik tha se mund të vendosen sanksione të tjera ndaj Rusisë nëse Kremlini nuk ka pranuar të angazhohet, dhe Britania e Madhe është tashmë duke punuar për paketën e radhës të masave kundër Moskës.

“Është e rëndësishme t’u kujtojmë kolegëve se jemi gati të rrisim presionin ndaj Rusisë, veçanërisht ndaj ekonomisë së saj, me sanksione dhe masa të tjera më të gjera sipas nevojës”, u tha Starmer aleatëve. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›