E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Zelensky mbërrin në Londër, takohet me Starmer

LONDËR, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, mbërriti sot në Londër dhe u prit nga kryeministri Keir Starmer, ndërkohë që Evropa po përgatitet për  takimin mes Donald Trump me Vladimir Putin nesër në Alaska.

Presidenti ukrainas dhe Starmer u përqafuan dhe pozuan përpara kamerave me një shtrëngim duarsh teksa mbërriti në Westminster, ndërsa gazetarët e pranishëm bënin pyetje.

Takimi i kryeministrit britanik me Volodymyr Zelensky vjen pasi ai tha se Britania e Madhe ishte e gatshme të rriste presionin ndaj Rusisë nëse ishte e nevojshme.

Ndërkohë, Trump kërcënoi Rusinë me “pasoja të rënda” nëse udhëheqësi i saj refuzon armëpushimin.

Gjatë një telefonate dje me presidentin amerikan dhe aleatët evropianë, Starmer vlerësoi  Trump për punën e tij për të sjellë një mundësi “të realizueshme” për t’i dhënë fund luftës.

Kryeministri britanik tha se mund të vendosen sanksione të tjera ndaj Rusisë nëse Kremlini nuk ka pranuar të angazhohet, dhe Britania e Madhe është tashmë duke punuar për paketën e radhës të masave kundër Moskës.

“Është e rëndësishme t’u kujtojmë kolegëve se jemi gati të rrisim presionin ndaj Rusisë, veçanërisht ndaj ekonomisë së saj, me sanksione dhe masa të tjera më të gjera sipas nevojës”, u tha Starmer aleatëve. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›