BM - Të paktën 325 të arrestuar gjatë protestës në mbështetje të "Palestine Action" - ATSH -
LONDËR, 1 nëntor /ATSH-AFP/ – Policia britanike arrestoi të paktën 325 mbështetës të grupit “Palestine Action” gjatë protestave të zhvilluara në Londër dhe Edinburg.
Arrestimet ndodhën pak ditë përpara se Gjykata e Lartë të shqyrtojë ankimimin kundër vendimit të qeverisë britanike për ndalimin e organizatës, e cila është shpallur e jashtëligjshme sipas legjislacionit kundër terrorizmit.
Qindra protestues u mblodhën pranë ambasadës amerikane në Londër, duke mbajtur pankarta me mesazhe kundër luftës në Gaza dhe ndalimit të organizatës.
Disa prej tyre mbanin slogane si “Ne kundërshtojmë gjenocidin, mbështesim Palestine Action” dhe “Jemi protestues, jo terroristë”.
Policia konfirmoi se kishte arrestuar të paktën 139 persona dhe se operacionet e arrestimit vijonin.
Sipas organizatorëve të protestave, më shumë se 4 000 persona janë arrestuar që nga ndalimi i grupit në korrik 2025, pasi kanë shprehur publikisht mbështetjen për të.
Organizata “Defend Our Juries” e kritikoi këtë praktikë, duke e cilësuar shqetësuese arrestimin e qytetarëve gjatë protestave paqësore.
Mes të arrestuarve në protestat e mëparshme kanë qenë edhe persona të moshuar dhe të mbijetuar të Holokaustit.
“Palestine Action” është nxjerre jashtë ligjit së bashku me Hamasin dhe Hezbollahun.
Anëtarësimi ose shprehja e mbështetjes për të përbën vepër penale, e dënueshme deri në 14 vjet burg.
Bashkëthemeluesja e organizatës, Huda Ammori, e ka kundërshtuar ligjërisht vendimin, duke argumentuar se ai është joproporcional dhe cenon të drejtat e njeriut.
Gjykata e Lartë britanike pritet të zhvillojë një seancë dyditore duke nisur nga e mërkura, për të shqyrtuar ankimimin.
Çështja vjen pasi Gjykata e Apelit vendosi në qershor në favor të qeverisë.
Vendimi përfundimtar pritet të ketë rëndësi të madhe për kufijtë e protestës dhe lirinë e shprehjes në Britaninë e Madhe. /Ad.Ab./
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
