Butrinti, Bylisi dhe Antigonea në vëmendjen e publikut dhe profesionistëve ndërkombëtarë në Peastum të Italisë - ATSH -
TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Shqipëria për të dytin vit radhazi mori pjesë në Bursën Mesdhetare të Turizmit Arkeologjik në Paestum të Italisë.
Trashëgimia jonë kulturore dhe arkeologjike, potenciali turistik i Shqipërisë dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për zhvillimin e qëndrueshëm të siteve arkeologjike ishin në qendër të pjesëmarrjes së delegacionit shqiptar në këtë event i cili konsiderohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar turizmit arkeologjik.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit u përfaqësua nga një delegacion i përbërë nga zëvendësministrat Lira Pipa dhe Marinela Prifti, drejtori i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Endri Haxhiu, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, Ardis Duka, dhe përfaqësuesi i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj.
Në hapësirën ekspozuese të Shqipërisë u prezantua Parku Kombëtar i Butrintit, në bashkëpunim me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit, duke promovuar vlerat e jashtëzakonshme të këtij siti të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe modelin e menaxhimit të qëndrueshëm të tij.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu Parqeve Arkeologjike të Bylisit dhe Antigonesë, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim (AICS), duke prezantuar potencialin e tyre për turizmin kulturor, zhvillimin e territoreve dhe krijimin e destinacioneve të reja turistike.
Një moment i rëndësishëm i pjesëmarrjes ishte paneli ndërkombëtar “Cultural Heritage and Cooperation: Partnerships for Shared Development in the Framework of the Pact for the Mediterranean”, i cili mblodhi përfaqësues të nivelit të lartë nga Italia, Komisioni Evropian, Shqipëria, Egjipti dhe Jordania.
Paneli u çel me përshëndetjet institucionale të Edmondo Cirielli, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, dhe Marco Riccardo Rusconi, Drejtor i Agjencisë Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim (AICS).
Në diskutim, zëvendësministret Lira Pipa dhe Marinela Prifti prezantuan përvojën dhe prioritetet e Shqipërisë në mbrojtjen, administrimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, si një burim zhvillimi ekonomik, turizmi të qëndrueshëm dhe bashkëpunimi rajonal.
Krahas përfaqësuesve shqiptarë, në panel morën pjesë edhe drejtues të Ministrisë së Kulturës së Italisë, Komisionit Evropian, Autoritetit të Zhvillimit dhe Turizmit të Petrës në Jordani dhe Muzeut të Madh Egjiptian.
Partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, veçanërisht përmes bashkëpunimit me AICS, vijon të japë kontribut konkret në ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë arkeologjike shqiptare, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e turizmit kulturor.
Pjesëmarrja për të dytin vit radhazi në BMTA dëshmon angazhimin e Shqipërisë për të promovuar trashëgiminë e saj në skenën ndërkombëtare, për të zgjeruar partneritetet dhe për ta kthyer pasurinë tonë historike në një mundësi të qëndrueshme zhvillimi për komunitetet lokale.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
