E Diel, 1 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 – A po i vjen fundi Nagelsmann? Gjermania përjeton një tjetër makth në Kupën e Botës

LONDËR, 30 qershor /ATSH/- Ka qenë një kohë kur Ekipi kombëtar i futbollit të Gjermanisë konsiderohej favoritja absolute për të fituar turnetë më të mëdhenj të futbollit, shkruan BBC.

Ajo ka fituar katër herë Kupën e Botës dhe ka luajtur edhe katër finale të tjera. Po ashtu, ka triumfuar në tre nga gjashtë finalet e Kampionatit Evropian ku ka marrë pjesë.

Por ato kohë duket se kanë mbetur pas. Gazeta gjermane “Bild” e përshkroi eliminimin me titullin: “Makthi i radhës i futbollit gjerman”, pasi Gjermania u eliminua në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës nga ekipi kombëtar i futbollit i Paraguajit.

Ndeshja përfundoi 1-1 pas kohës shtesë, ndërsa paraguajanët fituan 4-3 me penallti.

Që nga triumfi i fundit në Botërorin e vitit 2014, Gjermania nuk ka arritur dy herë, të kalojë fazën e grupeve dhe tani është eliminuar në ndeshjen e parë, me eliminim direkt në Botërorin 2026.

Paraguaji, që para nisjes së turneut renditej në vendin e 41-të, në renditjen e FIFA-s, ndërsa Gjermania ishte e 10-ta, arriti t’i shkaktojë gjermanëve humbjen e parë, të ndodhur ndonjëherë, në një seri penalltish në Kupën e Botës.

Në ndeshjen e zhvilluar në Boston, Gjermania e zotëroi topin rreth 75%, por nuk arriti të depërtonte mbrojtjen e organizuar të Paraguajit.

Amerikano-latinët kaluan të parët në avantazh me golin e ish-lojtarit të Brighton dhe Ipswich, Julio Enciso.

Kai Havertz barazoi me kokë në fillim të pjesës së dytë, ndërsa një gol i Jonathan Tah u anulua për faull, pas ndërhyrjes së VAR-it.

Gjermania hynte në goditjet e penalltive me një rekord perfekt në Kupat e Botës, katër seri dhe katër fitore. Por këtë herë gjithçka shkoi ndryshe.

Havertz humbi penalltinë e parë, ndërsa portieri paraguajan Gill ndali edhe goditjen e Nick Woltemade.

Edhe pse Paraguaji gaboi dy herë, Tah e dërgoi topin mbi traversë dhe mbrojtësi Jose Canale vulosi kualifikimin historik të ekipit të tij.

“Kur eliminohesh nga Kupa e Botës përballë Paraguajit, është jashtëzakonisht e dhimbshme”, tha trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann.

“Ky është eliminimi ynë i tretë, radhazi dhe tregon se nuk bëjmë më pjesë mes skuadrave elitare”, shtoi ai.

Presion i madh mbi Nagelsmann

Nagelsmann, kampion i Bundesligës si trajner i “Bayern Munich”, mori drejtimin e kombëtares në vitin 2023, por në “Euro 2024″, të organizuar në Gjermani, skuadra u ndal në çerekfinale.

Botërorin e këtij viti e nisi bindshëm, duke mposhtur 7-1 Curaçaon dhe më pas përmbysi Bregun e Fildishtë 2-1.

Humbja 2-1 ndaj Ekuadorit në ndeshjen e fundit të grupeve nuk pati pasoja, pasi vendi i parë ishte siguruar, por eliminimi ndaj Paraguajit ka vënë seriozisht, në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit.

Në rrjetet sociale kanë nisur menjëherë thirrjet që ish-trajneri i Liverpool F.C., Jürgen Klopp, të marrë drejtimin e kombëtares.

“Nëse e shohim të gjithë turneun, eliminimi është plotësisht i merituar. Nagelsmann duhet të mbajë përgjegjësi. Për mua, rrugëtimi i kombëtares duhet të vazhdojë pa të”, tha ish-mbrojtësi i Gjermanisë, Arne Friedrich.

Edhe ish-mesfushori Thomas Hitzlsperger u shpreh se është e papranueshme që, Gjermania të eliminohet kaq herët, sidomos në një Botëror, me më shumë skuadra pjesëmarrëse.

Nagelsmann nuk mendon të largohet

Pavarësisht kritikave, Nagelsmann deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

“Unë nuk jam nga ata njerëz që largohen, kur situata bëhet e vështirë. E di që shumë tifozë, nuk duan të më shohin më në këtë detyrë, por nëse Federata Gjermane e Futbollit dëshiron që të vazhdoj, unë do të vazhdoj”, tha Nagelsmann.

Ai falënderoi gjithashtu tifozët gjermanë për mbështetjen në stadium, duke thënë se reagimi i tyre pas humbjes ishte shumë më pozitiv nga sa kishte pritur.

Edhe para sfidës me Paraguajin, Nagelsmann u kritikua nga Klopp, i cili, si analist televiziv, deklaroi se Gjermania kishte zgjedhur mënyrën e gabuar të lojës ndaj Ekuadorit.

“Kundërshtarët nuk kanë më frikë nga Gjermania”

Sipas mesfushorit, Thomas Hitzlsperger, problemi i futbollit gjerman është më i thellë.

“Për vite me radhë kemi investuar te loja me pasime, taktika dhe futbolli i bukur, por kemi harruar një element të rëndësishëm: karakterin dhe forcën për të fituar duelet”, tha Hitzlsperger.

Sipas tij, skuadra ka humbur autoritetin që dikur i trembte kundërshtarët.

“Ekipet ende na respektojnë, por nuk kanë më frikë nga ne. Nuk jemi më aq të vështirë për t’u mposhtur dhe na mungon forca fizike që kishim dikur”, shtoi ai.

Ai tha se Gjermania duhet të rikthejë mentalitetin fitues, që e çoi te titulli botëror në vitin 2014.

“Shihni Argjentinën. Ata kombinojnë cilësinë teknike me agresivitetin dhe karakterin. Nuk kemi një Lionel Messi, por duhet të afrohemi më shumë me nivelin e Argjentinës dhe Francës”, tha Hitzlsperger.

Edhe gazetari i njohur gjerman, Raphael Honigstein vlerësoi se eliminimi ndaj Paraguajit nuk mund të kalojë pa pasoja.

“Mund të eliminohesh nga një Botëror, por jo në këtë mënyrë dhe jo përballë Paraguajit. Do të jetë shumë e vështirë që Nagelsmann ta mbajë postin. Mendoj se aventura e tij në stolin e Gjermanisë po shkon drejt fundit”, tha Honigstein. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›