BOTËRORI 2026 – Koeman tërhiqet nga drejtimi i Holandës: Ka gjëra më të rëndësishme se futbolli

LONDËR, 1 korrik /ATSH/- Ronald Koeman ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të Holandës pas eliminimit të ekipit në Kupën e Botës, shkruan BBC.
Lajmi vjen në një kohë kur futbollistët holandezë humbën penalltitë në ndeshjen ndaj Marokut, dhe u sulmuan me komente raciste në rrjete sociale.
Holanda u eliminua në fazën e 1/16-ave, pasi barazoi 1-1 me Marokun në Monterrey dhe më pas u mposht në serinë e penalltive.
Justin Kluivert, Quinten Timber dhe Crysencio Summerville gabuan në ekzekutimin e penalltive, ndërsa më pas u bënë objekt i komenteve diskriminuese, raciste dhe me gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale, deklaroi Federata Holandeze e Futbollit (KNVB).
Koeman, 63 vjeç, largohet pas mandatit të tij të dytë, në krye të përfaqësueses dhe la të kuptohet se mund t’i ketë dhënë fund edhe karrierës si trajner.
“Kur kthej kokën pas në karrierën time, ndihem mbi të gjitha krenar. Kam punuar me klube dhe njerëz që më kanë formuar dhe më kanë dhuruar kujtime që do t’i ruaj gjithë jetën. Të gjithë ëndërruam një Botëror ku do të shkruanim histori. Fatkeqësisht nuk ia dolëm. Askush nuk është më i zhgënjyer se unë”, tha Koeman në një postim në “Instagram”.
“Vitet e fundit më kanë bërë të kuptoj se ka gjëra më të rëndësishme se futbolli. Futbolli ka qenë jeta ime, por shëndeti nuk ka çmim. Kur një njeri i dashur po përballet me një betejë të vështirë, këndvështrimi yt për jetën ndryshon”, shtoi ai.
Bashkëshortja e Koeman, Bartina, është diagnostikuar me kancer të gjirit.
Sipas ekspertit të futbollit holandez, Arthur Renard, kontrata e Koeman ishte gjithsesi drejt përfundimit, por gjendja shëndetësore e bashkëshortes ndikoi që ai të largohej më herët.
Koeman mori drejtimin e Holandës, për herë të parë në vitin 2018 dhe pati sukses të menjëhershëm.
Ai i dha rol kyç lojtarëve si Frenkie de Jong, ndërsa skuadra regjistroi fitore të rëndësishme në Ligën e Kombeve ndaj Francës dhe Gjermanisë.
Holanda siguroi kualifikimin në Euro 2020, që më pas u shty për shkak të pandemisë, ndërsa Koeman u largua për të drejtuar Barcelonën.
Megjithatë, rikthimi i tij në stolin e kombëtares nuk pati të njëjtin sukses.
Sipas Renard, Koeman nuk arriti kurrë të bindte plotësisht me idetë e tij dhe u kritikua shpesh për një qasje tepër mbrojtëse.
Në ndeshjen ndaj Marokut, ai zgjodhi të luante me pesë mbrojtës, një skemë që Holanda nuk e kishte përdorur prej kohësh.
Ndryshimi i papritur i sistemit kërkoi shumë përshtatje dhe, në praktikë, i dha më shumë hapësira Marokut, për të zhvilluar lojën.
Mandati i tij i dytë nuk mori kurrë vrull. Edhe pse Holanda barazoi dy herë me Spanjën, në Ligën e Kombeve duke treguar potencial, skuadra nuk arriti më, të rikthehej në atë nivel.
Pas eliminimit nga Botërori, u bë e qartë se Koeman do të largohej dhe se kombëtarja holandeze kishte nevojë për një fillim të ri. //a.i/