E Diel, 1 Nëntor 2026

Kajo: Projektligji i ri për të drejtën e autorit forcon pozitën e krijuesve shqiptarë në tregun evropian

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Lufta kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive është një nga prioritetet e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, ndërsa projektligji i ri për të drejtën e autorit sjell mekanizma të avancuar për mbrojtjen e krijuesve dhe mbajtësve të të drejtave në mjedisin online.

Kështu u shpreh zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, njëherazi negociator për Kapitullin 7, “E drejta e pronësisë intelektuale”, gjatë takimit të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian me temë “Lufta kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive, progresi dhe sfidat në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

Kajo theksoi se pirateria digjitale dhe audiovizive, në thelbin e saj juridik, përbën shkelje të së drejtës së autorit, ndërsa kjo fushë është pjesë e Kapitullit 7 të negociatave me Bashkimin Evropian.

“Shqipëria ka ndërtuar prej vitesh një kuadër të qëndrueshëm për mbrojtjen e së drejtës së autorit në tregun e brendshëm. Tashmë jemi në fazën e plotësimit të këtij kuadri edhe për mjedisin online, një hapësirë që teknologjia e ka transformuar rrënjësisht gjatë dekadës së fundit”, tha ai.

Sipas Kajos, për këtë arsye është hartuar projektligji i ri për të drejtën e autorit, i cili mbështetet në rregullat më të avancuara të tregut unik digjital të Bashkimit Evropian.

Ai vlerësoi se pirateria mbetet një nga kërcënimet më serioze ndaj krijimtarisë intelektuale, duke theksuar se ajo nuk njeh më kufij gjeografikë.

“Sot një faqe interneti e regjistruar kudo në botë mund të dëmtojë njëkohësisht qindra krijues shqiptarë”, u shpreh Kajo.

Zëvendësministri nënvizoi rëndësinë e Direktivës së Bashkimit Evropian për Tregun Unik Digjital (DSM), e cila rregullon funksionimin e platformave të mëdha digjitale si YouTube, Netflix apo Spotify.

Ai shpjegoi se neni 17 i kësaj direktive vendos përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi platformat e shpërndarjes së përmbajtjeve në internet, duke u kërkuar atyre të pajisen me autorizimet përkatëse dhe të marrin masa efektive për parandalimin dhe heqjen e përmbajtjeve të paautorizuara.

“Kjo qasje zhvendos barrën kryesore të përgjegjësisë nga përdoruesit individualë tek platformat digjitale dhe krijon një instrument të fuqishëm kundër piraterisë online. Projektligji ynë reflekton këtë parim, duke i bërë këto platforma ligjërisht përgjegjëse edhe në legjislacionin shqiptar”, deklaroi ai.

Kajo bëri të ditur se projektligji krijon gjithashtu një mekanizëm të plotë administrativ për trajtimin e shkeljeve online, që nis nga ankesa e mbajtësve të të drejtave, vijon me urdhrin për heqjen e përmbajtjes dhe, në rast moszbatimi, parashikon edhe bllokimin teknik të saj, duke garantuar njëkohësisht të drejtën e ankimit gjyqësor.

Sipas tij, projektligji u njeh për herë të parë botuesve të shtypit shqiptar të drejtën për të kërkuar kompensim nga platformat digjitale që përdorin përmbajtjet e tyre.

Po ashtu, forcohet pozita kontraktore e autorëve dhe artistëve interpretues, duke garantuar transparencë mbi përdorimin e veprave të tyre, të drejtën për shpërblim të drejtë dhe detyrime të reja transparence për platformat, të cilat do të raportojnë periodikisht tek mbajtësit e të drejtave.

“E gjithë kjo arkitekturë ligjore forcon ndjeshëm pozitën e krijuesve shqiptarë në tregun evropian”, tha ai.

Në vijim, Kajo u ndal edhe te Direktiva e BE-së për transmetimet satelitore dhe ritransmetimet online (SatCab II), e cila, sipas tij, plotëson kuadrin ligjor duke u fokusuar në sektorin audioviziv.

Ai theksoi se kjo direktivë zgjeron administrimin kolektiv të të drejtave edhe për format moderne të ritransmetimit, përfshirë IPTV-në dhe format e tjera të shpërndarjes së përmbajtjeve audiovizive, duke mbyllur hapësirat që shfrytëzohen për ritransmetime të paautorizuara.

Në përfundim, zëvendësministri bëri të ditur se në strukturën e Drejtorisë së të Drejtës së Autorit po krijohet një njësi e re e dedikuar posaçërisht luftës kundër piraterisë online, si pjesë e forcimit të kapaciteteve institucionale për zbatimin e legjislacionit të ri.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, foto: Andrin Hoxha 1 nga 6

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›