E Diel, 1 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 – Mbappé në formë “të frikshme”, Franca favorite kryesore për trofeun

LONDËR, 1 korrik /ATSH/-  Kylian Mbappé shënoi dy gola për Francën, që mposhti bindshëm Suedinë 3-0 dhe siguroi kualifikimin në fazën e 1/8-ve të finales së Kupës së Botës, ku do të përballet me Paraguajin, shkruan BBC.

Sulmuesi francez u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në ndeshjet me eliminim direkt në Botëror, duke arritur në 10 gola në këtë fazë.

Ai gjithashtu kryeson garën për “Këpucën e Artë” të turneut me Lionel Messin, të dy me nga 6 gola.

Ndeshja u zhvillua në kushte shumë të nxehta në Nju Xhersi, por Franca e nisi me ritëm të lartë dhe dominoi lojën që në fillim.

Mbappé iu anulua një gol për pozicion jashtë loje në minutën e 20-të dhe më pas goditi shtyllën pas një pasimi të Jules Koundé.

Pak më vonë, Michael Olise goditi edhe ai shtyllën me një roveshatë, ndërsa Ousmane Dembélé nuk arriti të shënojë në topin e kthyer.

Portieri suedez Jacob Widell Zetterström bëri disa pritje të mira, për të mbajtur ekipin në lojë, por në fund të pjesës së parë nuk mundi ta ndalte Mbappé.

Sulmuesi francez përfitoi nga një pasim i Dembélé, dribloi mbrojtësin dhe shënoi me qetësi në cepin e portës.

Suedia pati një mundësi të artë për të barazuar menjëherë, por e humbi rastin nga afërsia.

Në pjesën e dytë, Franca e mbylli ndeshjen: Bradley Barcola shënoi golin e dytë pas një aksioni të bukur të Olise, ndërsa Mbappé realizoi edhe golin e tretë në minutën e 74-t, pas një tjetër asistimi të saktë.

Viktor Gyökeres pati një mundësi për golin e nderit në fund, por u ndal nga portieri francez Mike Maignan.

Franca tani do të luajë ndaj Paraguajit në Filadelfia më 4 korrik.

Analiza e ndeshjes thekson se Franca po paraqitet, si një nga favoritët kryesorë për ta fituar turneun, me Mbappé në formë të jashtëzakonshme dhe me një lidhje shumë të fortë në sulm me Dembélé, Olise dhe Barcola. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›