E Diel, 1 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 – Meksika në 1/16-at pas fitores ndaj Ekuadorit, pret duelin me Anglinë

LONDËR, 1 korrik /ATSH/- Meksika siguroi kualifikimin në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës, pasi mposhti me autoritet Ekuadorin 2-0 në stadiumin Azteca, në një ndeshje që nisi me një orë vonesë për shkak të stuhisë, shkruan BBC.

Golat e Julian Quiñones dhe Raúl Jiménez në pjesën e parë, i dhanë bashkëorganizatorëve një epërsi të sigurt, të cilën e administruan pa probleme pas pushimit.

Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga Javier Aguirre siguroi një vend në 1/16-at, ku të dielën do të përballet me fituesin e çiftit Angli – Republika Demokratike e Kongos, sërish në Meksiko Siti.

Meksika e nisi ndeshjen me ritëm të lartë, duke krijuar katër raste brenda 10 minutave të para.

Edhe pse John Yeboah goditi shtyllën për Ekuadorin, ishte Meksika që dominoi plotësisht lojën.

Epërsia erdhi kur Quiñones depërtoi nga krahu i majtë dhe shënoi me një goditje të saktë në trekëndësh. Ky ishte goli i tij i tretë në këtë Botëror.

Pak minuta më vonë, sulmuesi i Wolverhampton, Raúl Jiménez, dyfishoi shifrat, duke përfituar nga një gabim i mbrojtësit Joel Ordóñez pranë zonës së tij.

Ekuadori reagoi disi në pjesën e dytë, por nuk arriti të krijonte raste të rrezikshme. Mundësia më e mirë ishte një devijim i Gonzalo Plata, që përfundoi jashtë portës.

Në minutat shtesë, situata u përkeqësua edhe më shumë për Ekuadorin, pasi Piero Hincapié u ndëshkua me karton të kuq, për mbulimin e gojës gjatë një debati me një kundërshtar, duke u bërë futbollisti i dytë në këtë Botëror, që përjashtohet për këtë shkelje.

“Azteca”, arma e fortë e Meksikës

Meksika vazhdon ecurinë perfekte në Botërorin 2026, me katër fitore në po aq ndeshje, tetë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.

Stadiumi “Azteca” mbetet një fortesë për kombëtaren meksikane. Në 89 ndeshje zyrtare të zhvilluara aty, Meksika ka fituar 70 dhe ka humbur vetëm dy.

Përveç mbështetjes së mbi 80 mijë tifozëve, “Azteca” paraqet edhe një sfidë fizike për kundërshtarët, pasi ndodhet në më shumë se 2 mijë metra mbi nivelin e detit.

Kushtet e lartësisë janë të zakonshme për futbollistët meksikanë, por shpesh përbëjnë një disavantazh të madh për ekipet mike. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›