BOTËRORI 2026: 62 goditje, 0 gola – Turqia eliminohet pas dy ndeshjeve

TIRANË, 20 qershor /ATSH/- Turqia është eliminuar nga Kupa e Botës, pavarësisht dominimit të saj në humbjen 1-0 ndaj Paraguait, që mbajti gjallë shpresat për kualifikim, shkruan BBC.
Miguel Almirón, u bë lojtari i parë, që ndëshkohet me karton të kuq në një turne Botëror, por Paraguai me 10 lojtarë rezistoi deri në fund dhe siguroi një fitore të madhe, që i mban në garë për fazën e 1/16-ve. Turqia, ndërkohë, u eliminua.
Paraguai kaloi në avantazh pas vetëm 64 sekondash, kur mesfushori Matías Galarza realizoi një goditje të saktë nga distanca, duke shënuar golin më të shpejtë të turneut, deri tani dhe, në fund, golin vendimtar të ndeshjes.
Pas atij momenti, loja u kthye pothuajse tërësisht në një drejtim, me Turqinë që përpiqej vazhdimisht të barazonte.
Shpresat e turqve u rritën kur ish-mesfushori i “Newcastle United”, Almirón, u përjashtua pas një përplasjeje me mbrojtësin Mert Müldür gjatë kohës shtesë, të pjesës së parë.
Pas rishikimit nga VAR, gjyqtari salvadorian Iván Barton i tregoi kartonin e kuq, në bazë të një rregulli të ri të futur para Botërorit.
Të dy ekipet vinin pas humbjeve në ndeshjen e parë: Paraguai ishte mundur 4-1 nga SHBA-ja, ndërsa Australia kishte mposhtur Turqinë 2-0.
Kjo e bënte përballjen vendimtare dhe të ashpër.
Pavarësisht dominimit të plotë, Turqia arriti vetëm një goditje në kuadrat nga 12 tentativa.
Një goditje me kokë e devijuar e Mert Müldür u ndal në traversë dhe shtyllë.
Merih Demiral testoi portierin Orlando Gill në pjesën e dytë, ndërsa i sapofuturi Deniz Gül humbi një rast të artë nga afërsia, duke goditur drejt portierit.
Can Uzun detyroi Gill të bënte një pritje të shkëlqyer në fund, ndërsa Gül gaboi edhe në rikthim, megjithëse pozicioni i tij mund të ishte jashtë loje.
Turqia kishte 30 tentativa në ndeshjen e parë ndaj Australisë dhe 32 në këtë përballje, por nuk arriti të shënojë, as kundër 10 lojtarëve në pjesën e dytë, duke mbetur pa gol në këtë Botëror.
Turqia është tashmë e eliminuar pas dy humbjeve, ndërsa Paraguai, nëse mposht Australinë në ndeshjen e fundit të grupit, siguron kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
Turqi dominuese, por pa gola
Skuadra e Vincenzo Montella nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në këtë Botëror, pavarësisht 62 goditjeve në total — një rekord negativ sipas Opta-s për numrin më të lartë të tentativave pa gol, në dy ndeshje radhazi (që nga viti 1966).
Turqia jo vetëm që pati shumë raste, por dominoi edhe posedimin në të dy ndeshjet.
Kundër Australisë kishte 71,6% zotërim të topit, ndërsa ndaj Paraguait 78,5%.
Në ndeshjen e dytë, kjo u lehtësua edhe nga fakti që kundërshtari mbeti me 10 lojtarë, por dominimi ishte i dukshëm edhe më herët.
Turqia gjithashtu kishte një “xG” më të lartë në të dy ndeshjet: 1,33 ndaj Australisë (kundrejt 0,77 të kundërshtarit) dhe 2,1 ndaj Paraguait (kundrejt 0,32).
Në total, ata regjistruan mbi 100 prekje në zonën kundërshtare gjatë dy ndeshjeve.
Megjithatë, për 180 minuta lojë, Turqia ka sulmuar dhe dominuar, por ka dështuar të bëjë më të rëndësishmen: të shënojë gol.
Kritika kryesore mbetet se vetëm 13 nga 62 goditjet kanë qenë në kuadrat.
Në mënyrë befasuese, duke marrë parasysh dominimin e tyre, Turqia nuk ka shënuar ende dhe është jashtë turneut, pavarësisht ndeshjes së fundit që do të luhet ndaj SHBA-së. //a.i/