Dezinsektimi kundër mushkonjave për herë të tretë në Lezhë

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Me nisjen e sezonit turistik veror ka vijuar procesi i dezinsektimit në zonat ligatinore, urbane dhe bregdetare në të gjithë vendin, një ndërhyrje e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët dhe pushuesit.
Në qarkun e Lezhës, procesi i dezinsektimit ka hyrë në fazën e tretë të zbatimit për këtë sezon turistik.
Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Lezhë, Elson Frroku, bëri të ditur se ndërhyrjet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, duke arritur në 10 cikle dezinsektimi.
“Vijon procesi i dezinsektimit në Lezhë për herë të tretë radhazi, ndërsa janë planifikuar gjithsej 10 ndërhyrje gjatë sezonit turistik 2026”, tha Frroku.
Sipas tij, strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bashkëpunojnë ngushtë në të gjitha fazat e procesit, duke nisur nga vlerësimi entomologjik e deri te spërkatja me larvicide në zonat ku konstatohet prania e larvave të mushkonjave.
Në total, ndërhyrjet përfshijnë rreth 16 hektarë sipërfaqe ku është identifikuar prani e larvave. Monitorimi kryhet nga specialistë të fushës, me synim minimizimin e pranisë së mushkonjave në zonat turistike të Shëngjinit dhe Lezhës.
Frroku theksoi se rezultatet e viteve të mëparshme kanë qenë pozitive, duke ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të mushkonjave dhe në krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset turistike dhe vizitorët që zgjedhin të kalojnë pushimet në Lezhë dhe Shëngjin.
Dezinsektimi nuk kufizohet vetëm në zonat turistike bregdetare, por shtrihet edhe në zonat urbane të qarqeve të përzgjedhura pas vlerësimeve entomologjike, me qëllim uljen e riskut për përhapjen e sëmundjeve.
Në bazë të planit të punës, procesi nis zakonisht në muajt prill-maj dhe vijon deri në shtator-tetor, duke zgjatur rreth gjashtë muaj dhe duke mbuluar periudhën me aktivitetin më të lartë të mushkonjave.
Procesi i dezinsektimit po vijon në të gjithë vendin sipas hartës së zonave turistike dhe urbane të përcaktuara nga ekspertët epidemiologë, duke garantuar më shumë siguri shëndetësore dhe qetësi për pushuesit vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.
/e.i/ /a.g/