BQE rrit normat e interesit prej luftës. Shtrenjtohen kreditë në eurozonë, çmimet e energjisë rritin inflacionin në 3.2%

Banka Qendrore Evropiane ka vendosur të rrisë normat e interesit për herë të parë pas gati tre vitesh, mes shqetësimeve për rritjen e inflacionit në eurozonë. Vendimi vjen në një moment kur çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm për shkak të tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.
BQE e rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në nivelin 2.25 për qind. Autoritetet monetare paralajmërojnë se situata mbetet e pasigurt dhe se presionet inflacioniste vijojnë të jenë të larta. Sipas të dhënave të fundit, inflacioni në vendet e eurozonës arriti në 3.2 për qind muajin e kaluar, i ndikuar kryesisht nga rritja e kostove të energjisë.
Bashkimi Evropian vazhdon të mbështetet në importet e lëndëve djegëse për të furnizuar ekonominë e tij, çka e bën më të ndjeshëm ndaj luhatjeve në tregjet ndërkombëtare. Kostot më të larta të energjisë po shtojnë presionin mbi familjet dhe bizneset, duke rrezikuar ngadalësimin e rimëkëmbjes ekonomike.
Rajoni ende po përballet me pasojat e krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Ndërkohë, institucionet financiare ndërkombëtare kanë ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike të eurozonës gjatë këtij viti. Në këto kushte, BQE synon të mbajë nën kontroll inflacionin, duke balancuar njëkohësisht nevojën për stabilitet ekonomik dhe financiar
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/