E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE: Nevojiten 241 miliardë euro për zgjerimin e energjisë bërthamore deri në vitin 2050

BRUKSEL, 13 qershor /ATSH-DPA/- Zgjerimi i planifikuar i gjenerimit të energjisë bërthamore në Bashkimin Evropian kërkon investime totale prej rreth 241 miliardë eurosh (277 miliardë dollarë) deri në vitin 2050, raportoi sot Komisioni Evropian.

Financimi është i nevojshëm për të realizuar planet e disa vendeve të BE-së – si për të zgjatur jetëgjatësinë e reaktorëve ekzistues ashtu edhe për të ndërtuar reaktorë të rinj të mëdhenj.

“Investimet shtesë janë të nevojshme për reaktorët më të vegjël apo fuzionin bërthamor në planin afatgjatë. Nevojiten financimi si publike ashtu edhe private”, tha komisioni.

Disa vende të BE-së, si Franca dhe Belgjika po përqendrohen shumë në energjinë bërthamore, ndërsa Polonia planifikon të ndërtojë centralin e saj të parë bërthamor në vitin 2028.

Energjia bërthamore është një burim energjie me karbon të ulët, por centralet janë shumë të diskutueshme për shkak të rreziqeve të larta.

Sipas traktateve të BE-së, çdo vend anëtar ka të drejtë të zgjedhë përzierjen e vet të energjisë.

Komisioni vlerëson se më shumë se 90% e energjisë elektrike në Bashkimin Evropian do të vijë nga burime energjie të dekarbonizuara deri në vitin 2040 – kryesisht nga burime të rinovueshme të energjisë – si era dhe energjia diellore, por edhe nga energjia bërthamore.

Vitin e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen bëri thirrje për një zgjerim të energjisë bërthamore në sfondin e situatës politike globale.

“Prioriteti kryesor për komisionin është të sigurojë standardet më të larta të sigurisë bërthamore. Kjo përfshin asgjësimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të mbetjeve radioaktive dhe zgjerimin e infrastrukturës së nevojshme”, tha ajo. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›