BRUKSEL – BE: Rastet e Venezuelës dhe Groenlandës nuk janë të krahasueshme

BRUKSEL, 5 janar /ATSH-DPA/- Rastet e Venezuelës dhe Groenlandës nuk janë në asnjë mënyrë të krahasueshme, paralajmëroi Bashkimi Evropian, duke anashkaluar një vlerësim të qartë të operacionit të SHBA-së për të rrëzuar udhëheqësin venezuelian Nicolás Maduro.
“Ne do të donim t’u kujtonim të gjithëve se Groenlanda është një aleat i SHBA-së dhe gjithashtu nën mbrojtjen e aleancës së NATO-s”, tha sot një zëdhënëse në Bruksel.
“Interesat e sigurisë nuk duhet të përdoren kurrë si pretekst”, shtoi ajo.
Dje në mbrëmje, presidenti i SHBA-së Donald Trump shprehu sërish interesin e tij për aneksimin e ishullit të Atlantikut të Veriut, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin evojë për Groenlandën për arsye sigurie kombëtare.
Ai tha se ishulli kishte rëndësi të madhe strategjike dhe aktualisht ishte i rrethuar nga anije ruse dhe kineze dhe se Danimarka nuk mund të garantonte sigurinë atje.
Këto ishin arsyet e përdorura nga SHBA-ja për të justifikuar ndërhyrjen e saj ushtarake në Venezuelë dhe arrestimin e Maduros.
Presidenti i rrëzuar, i cili ka qenë në detyrë që nga viti 2013, akuzohet në SHBA për narko-terrorizëm.
Hetuesit besojnë se ai e përdori detyrën e tij për të lehtësuar kontrabandën e mijëra tonë kokainë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komisioni Evropian deri më tani ka shmangur një vlerësim të qartë të veprimit të fundit të SHBA-së për të arrestuar Maduron dhe në vend të kësaj po e paraqet situatën si një “mundësi” për vendin e Amerikës së Jugut.
“Këto ngjarje krijojnë mundësinë për një tranzicion demokratik në Venezuelë dhe për një tranzicion të udhëhequr nga populli venezuelian”, tha një zëdhënëse në Bruksel.
SHBA-ja nisi të shtunën në mëngjes, sulmet ajrore mbi objektivat në Venezuelë dhe arrestoi Maduro dhe bashkëshorten e tij Cilia Flores.
Ndërkohë, një zëdhënëse e Kaja Kallas iu referua një deklarate të lëshuar të dielën, e cila u mbështet nga të gjitha shtetet e BE-së përveç Hungarisë.
Ajo thekson se parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e Kombeve të Bashkuara duhet të mbështeten në të gjitha rrethanat.
Kjo mund të shihet si kritikë ndaj veprimeve të SHBA-së në Venezuelë, veçanërisht pasi deklarata thotë se SHBA-ja dhe të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë një përgjegjësi të veçantë për të mbështetur këto parime si shtylla të arkitekturës ndërkombëtare të sigurisë. //a.i/