BRUKSEL – BE drejt përdorimit të aseteve ruse për Ukrainën

BRUKSEL, 24 tetor /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian po bën përpara me planin për të përdorur asetet shtetërore ruse të ngrira për të mbështetur financiarisht Ukrainën. Liderët e BE-së i kanë kërkuar Komisionit Europian të paraqesë opsione konkrete për të siguruar deri në 140 miliardë euro për Kievit, të destinuara për mbrojtjen dhe nevoja të tjera financiare në vitet e ardhshme.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se BE është e vendosur të garantojë mbështetjen financiare të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti samitin “pozitiv”.
Komisioni po shqyrton edhe mënyra të reja financimi për periudhën 2026–2027, me kërkesë të Belgjikës, ku ndodhet pjesa më e madhe e fondeve të ngrira.
Megjithatë, Belgjika ka shprehur shqetësime për bazën ligjore ndërkombëtare, mënyrën e përfshirjes së vendeve të tjera që mbajnë asete ruse dhe mundësinë e aksesit të menjëhershëm në fonde. Aktualisht, BE -ja përdor vetëm interesin e parave të ngrira, por jo kapitalin.
Plani mbështetet nga udhëheqës si kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili kërkon rritje presioni ndaj Rusisë. Por komuniteti i biznesit gjerman paralajmëron pasoja të rënda ekonomike nëse Moska hakmerret duke ngrirë ose konfiskuar asetet europiane në Rusi, të vlerësuara në mbi 100 miliardë euro /Ad.Ab./