BRUKSEL – BE i kërkon Izraelit të respektojë ligjin humanitar në Gazë

BRUKSEL, 26 qershor /ATSH-DPA/- Udhëheqësit e Bashkimit Evropian i kërkuan sot Izraelit të respektojë ligjin humanitar, në Gazë.
Një shqyrtim i brendshëm i BE-së mbi zbatimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael – nga qeveria në Tel Aviv – i cili përcakton se marrëdhëniet midis palëve bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut – shkaktoi një përçarje midis shteteve anëtare – në lidhje me masën që duhet të ndërmarrin ndaj Izraelit.
Sipas shqyrtimit, sjellja e Izraelit në Rripin e Gazës – veçanërisht kufizimet në ndihmën humanitare – nuk përputhej me këto parime.
Ndërsa disa shtete anëtare të BE-së kanë bërë thirrje për pezullimin e marrëveshjes së partneritetit me Izraelin, disa vende të tjera preferojnë të mos ndërmarrin asnjë veprim.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, udhëheqësit e BE-së – të mbledhur në një samit në Bruksel – vendosën përfundimisht të mos vepronin mbi “gjetjet” – se Izraeli po shkel marrëveshjen kyçe për të drejtat e njeriut në Gazë.
Megjithatë, deklarata fton ministrat e Jashtëm të BE-së të vazhdojnë diskutimin lidhur me këtë çështje.
“Izraeli duhet të përmbushë plotësisht detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë ligjin ndërkombëtar humanitar”, thuhet në deklaratë.
“BE shpreh keqardhjen për situatën e rëndë humanitare në Gazë, numrin e papranueshëm të viktimave civile dhe nivelin e urisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Udhëheqësit i bënë thirrje Izraelit të heqë plotësisht bllokadën ndaj Gazës, të lejojë akses të menjëhershëm dhe të papenguar dhe shpërndarje të qëndrueshme të ndihmës humanitare në shkallë të gjerë dhe në të gjithë Gazën. //a.i/