SHBA – Shtëpia e Bardhë: Jemi në kontakt me Iranin, por bisedimet bërthamore nuk janë caktuar ende

UASHINGTON, 26 qershor /ATSH-DPA/- Administrata Trump vazhdon të jetë në komunikim të ngushtë me iranianët, por aktualisht nuk janë planifikuar bisedime mbi programin bërthamor të Teheranit, tha sot sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Duke folur dje në samitin e NATO-s në Hagë, Trump njoftoi bisedime të reja me Teheranin për javën e ardhshme, pa dhënë detaje. Deri më tani nuk ka pasur konfirmim nga iranianët.
“Nuk kemi planifikuar asgjë deri më tani, por fola gjerësisht me të dërguarin tonë të posaçëm, Steve Witkoff këtë mëngjes, dhe mund t’ju siguroj të gjithëve se ne vazhdojmë të jemi në komunikim të ngushtë me iranianët – përmes ndërmjetësve tanë gjithashtu”, tha Leavitt në një konferencë për shtyp, në Shtëpinë e Bardhë.
“Administrata është gjithmonë e përqendruar në diplomaci dhe paqe, dhe ne duam të sigurohemi që mund të arrijmë në një vend – ku Irani pranon një program bërthamor civil pa pasur pasurim uraniumi”, shtoi ajo.
Një raund i gjashtë bisedimesh mbi programin bërthamor të Iranit midis Uashingtonit dhe Teheranit ishte planifikuar më 15 qershor në Oman – por ato u anuluan pasi forcat izraelite nisën sulme ajrore ndaj objektivave iraniane.
Mes përplasjeve midis Iranit dhe Izraelit, forcat amerikane bombarduan vendet kryesore bërthamore iraniane, në fundjavë.
Leavitt tha gjithashtu se nuk kishte asnjë tregues për SHBA-në se uraniumi i pasuruar ishte zhvendosur në vende të tjera para sulmeve. //a.i/