BRUKSEL – BE-ja mirëpret marrëveshjen armeno-azere të paqes

BRUKSEL, 9 gusht /ATSH-AZERTAC/ – BE-ja mirëpret ngrohtësisht takimin mes presidentit Ilham Aliyev të Azerbajxhanit dhe kryeministrit Nikol Pashinyan të Armenisë, të organizuar nga presidenti amerikan Donald Trump si edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Paqen dhe Vendosjen e Marrëdhënieve Ndërshtetërore midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, thanë në një deklaratë të përbashkët presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
”Nënshkrimi i deklaratës nga kryeministri Pashinyan dhe presidenti Aliyev, në prani të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, është një zhvillim i madh si për Armeninë ashtu edhe për Azerbajxhanin duke hapur rrugën për një paqe të qëndrueshme për të dy vendet dhe për të gjithë rajonin, duke kulmuar gjithashtu vite të tëra përpjekjesh të BE-së”, shtuan ata.
”Tani do të jetë e rëndësishme të sigurohet zbatimi në kohë i hapave të dakordësuar për të garantuar përparim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit”, theksuan Costa dhe Von der Leyen.
”Siç u është thënë në disa raste të dy udhëheqësve, përfshirë së fundmi samitin e Tiranës në maj 2025, presidenti Costa dhe presidentja von der Leyen janë inkurajuar sinqerisht nga hapat vendimtarë të ndërmarrë nga udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Armenisë”, theksuan ata.
”BE mbështet fuqimisht procesin e normalizimit Armeni-Azerbajxhan dhe është e gatshme të investojë në lidhshmërinë rajonale dhe hapjen e plotë, për të përfituar para së gjithash popullatat e ndara nga trashëgimia e konfliktit, dhe për ta sjellë rajonin më afër paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm”, thuhet në deklaratën e dy liderëve të BE-së./ a.jor.