BRUKSEL – BE miraton marrëveshjen e tregtisë së lirë me katër vende të Amerikës së Jugut

BRUKSEL, 9 janar /ATSH-DPA/ – Një shumicë e vendeve të Bashkimit Evropian i ka hapur dritën jeshile nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë Mercosur me Brazilin, Argjentinën, Uruguajin dhe Paraguajin, thane sot burimet.
Gjatë një takimi të përfaqësuesve të 27 vendeve të BE-së në Bruksel, një numër i mjaftueshëm pjesëmarrësish ra dakord për nënshkrimin e planifikuar të marrëveshjes, sipas diplomatëve.
Sipas Komisionit Evropian, “zona e re e tregtisë së lirë, me më shumë se 700 milionë banorë, do të jetë zona më e madhe e këtij lloji në botë”.
Marrëveshja për këtë marrëveshje të diskutueshme u bë e mundur përmes “koncesioneve shtesë ndaj lobit bujqësor, i cili sheh konkurrencën nga këto katër vende, anëtare të bllokut më të gjerë tregtar Mercosur në Amerikën e Jugut, si një kërcënim për fermerët evropianë.
Në Amerikën e Jugut, produktet bujqësore si mishi i viçit mund të prodhohen më lirë se në Evropë.
Marrëveshja ishte planifikuar fillimisht të nënshkruhej në Brazil në dhjetor. Megjithatë, shumica e nevojshme e vendeve anëtare të BE-së nuk u arrit atëherë sepse Italia lidhi miratimin e saj me angazhime të mëtejshme për mbështetje të fermerëve evropianë.
Për të kaluar marrëveshjen ishte e nevojshme një “shumicë e kualifikuar”, që do të thotë të paktën 15 nga 27 shtetet e BE-së që përfaqësojnë 65% të popullsisë së bllokut duhet ta mbështesin atë.
Miratimi i Italisë ishte i domosdoshëm sepse dy vende të tjera të mëdha të BE-së, Franca dhe Polonia, janë kundër marrëveshjes në formën aktuale./ /Ad.Ab./ a.jor.