BRUKSEL – BE miraton ngrirjen e aseteve ruse për një kohë të pacaktuar

BRUKSEL, 12 dhjetor /ATSH-DPA/- Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord me shumicë të madhe votash – për të ngrirë për një kohë të pacaktuar asetet shtetërore ruse në BE, tha sot presidenca daneze e BE-së – duke kapërcyer pengesën e parë në vënien në dispozicion të parave për Ukrainën si një kredi dëmshpërblimi.
Deri më sot, të 27 vendet anëtare janë dashur të bien dakord unanimisht çdo gjashtë muaj – për të mbajtur fondet e ngrira sipas sanksioneve të BE-së – në përgjigje të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Hungaria, miqësore me Kremlinin, ka kundërshtuar vazhdimisht zgjatjen periodike të ngrirjes së aseteve ruse.
Për të ngrirë paratë për një kohë të pacaktuar, vendet e BE-së kanë aktivizuar një mekanizëm emergjence ekonomike – që lejon kalimin nga një votim unanim në një votim shumice.
Vendet argumentojnë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po shkakton sfida të rënda ekonomike dhe se transferimi i fondeve në Rusi duhet të parandalohet urgjentisht për të kufizuar dëmin në ekonominë e BE-së.
Si Hungaria ashtu edhe Rusia kanë kërcënuar me veprime ligjore përpara vendimit.
Masa për të ngrirë asetet shtetërore të Rusisë në BE me vlerë rreth 210 miliardë euro – për një kohë të pacaktuar – synon të lehtësojë planet për t’i siguruar Ukrainës një pjesë të parave si një kredi afatgjatë për dëmshpërblime. //a.i/