MOSKË – Kremlini: Policia dhe Garda ruse do të qëndrojnë në Donbas pas përfundimit të luftës

MOSKË, 12 dhjetor /ATSH/- Një zyrtar i lartë i Kremlinit tha sot se policia dhe Garda Kombëtare ruse do të qëndrojnë në Donbas të Ukrainës lindore dhe do të mbikëqyrin rajonin e pasur me industri, edhe nëse një marrëveshje paqeje i jep fund luftës gati 4-vjeçare në Ukrainë, sipas AP.
Deklarata e këshilltarit të Kremlinit, Yuri Ushakov nënvizon ambicien e Moskës për të ruajtur praninë enë Donbas pas luftës.
Ukraina ka të ngjarë ta refuzojë një qëndrim të tillë ndërsa negociatat e udhëhequra nga SHBA-ja zvarriten.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se njësitë ukrainase kanë rimarrë disa vendbanime dhe lagje pranë qytetit të Kupianskut në rajonin verilindor të Kharkivit, pas një operacioni njëmujor që synonte të përmbyste avancimet ruse atje.
Kupiansku, në muajt e fundit ka qenë një nga zonat më të kontestuara të vijës së frontit prej rreth 1,000 kilometrash dhe avancimi i pretenduar i Ukrainës prej rreth 40 kilometra katrorë do të ishte një pengesë për Rusinë.
Më pak se dy muaj më parë, presidenti rus, Vladimir Putin tha se trupat ukrainase në Kupiansk ishin të rrethuara dhe ofroi të negocionte dorëzimin e tyre.
Putini është përpjekur ta portretizojë Rusinë si një vend që negocion nga një pozicion force në luftë.
Zyra e kancelarit gjerman Friedrich Merz tha se ai do ta priste Zelensky të hënën për bisedime, ndërsa përpjekjet për paqe fitojnë vrull dhe udhëheqësit evropianë kërkojnë të drejtojnë negociatat.
“Më pas, shumë krerë shtetesh dhe qeverish evropiane, si dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, do t’i bashkohen takimit”, thuhet në një deklaratë.
“Moska do t’i japë bekimin e saj një armëpushimi vetëm pasi forcat e Ukrainës të jenë tërhequr nga vija e frontit”, tha Ushakov.
“Është plotësisht e mundur që të mos ketë trupa në Donbas, as ruse dhe as ukrainase në një skenar pas luftës. Por, do të jetë Garda Kombëtare, policia jonë, gjithçka e nevojshme për të ruajtur rendin”, tha ai. //a.i/