E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE pezullon për gjashtë muaj paketën tregtare hakmarrëse prej 93 miliardë eurosh kundër SHBA-së

BRUKSEL, 23 janar /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian planifikon të pezullojë për gjashtë muaj paketën tregtare hakmarrëse prej 93 miliardë eurosh kundër SHBA-së, pas deeskalimit të papritur të mosmarrëveshjes për Groenlandën, këtë javë.

“Rregullorja e përgatitur vitin e kaluar për tarifat ndaj importeve me vlerë 93 miliardë euro (109 miliardë dollarë) do të pezullohet për gjashtë muaj të tjerë”, tha sot një zëdhënës i Komisionit Evropian, në Bruksel.

“Në rastin e kundërt, kjo do të kishte hyrë automatikisht në fuqi më 7 shkurt. Megjithatë, tarifat mund të aktivizohen në çdo kohë – edhe para përfundimit të afatit të pezullimit të ri gjashtëmujor”, shtoi zëdhënësi.

BE kishte kërcënuar me masa pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi tarifa ndëshkuese për mallrat nga Danimarka dhe vendet aleate pasi ato kundërshtuan kërkesën e tij për të blerë Groenlandën.

Të mërkurën në mbrëmje, Trump bëri një kthesë të habitshme, duke thënë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se nuk do të përdorte forcë në mosmarrëveshjen për ishullin Arktik dhe se po tërhiqte tarifat e tij ndëshkuese të shpallura më herët.

Sipas Trump, një kornizë për një marrëveshje të ardhshme mbi Groenlandën dhe të gjithë rajonin e Arktikut ishte rënë dakord në një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke i bërë masat e tjera të panevojshme.

Detajet mbeten të paqarta, por sipas burimeve të NATO-s, SHBA-së do t’i lejohet të zgjerojë praninë e saj ushtarake në Groenlandë dhe gjithashtu mund t’i lejohen disa investime atje.

Paketa e tarifave të BE-së u propozua vitin e kaluar pas konfliktit tregtar me SHBA-në në atë kohë.

Kjo do ta bënte eksportin e shumë produkteve industriale dhe bujqësore nga SHBA-ja në BE më të kushtueshme – siç janë aeroplanët, motoçikletat, mishi i viçit, uiski dhe frutat agrumet. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›