BRUKSEL – BE vonon tarifat për mallrat amerikane pavarësisht taksës prej 30% të njoftuar nga Trump

BRUKSEL, 13 korrik /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian do të zgjasë pezullimin e tarifave për mallrat e importuara nga SHBA-ja deri në fillim të gushtit, pavarësisht vendimit të Uashingtonit për të vendosur një taksë prej 30% ndaj importeve nga blloku, tha sot shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë dërguar një letër me masa që do të hyjnë në fuqi nëse nuk ka një zgjidhje të negociuar”, tha ajo.
“Prandaj, ne gjithashtu do ta zgjasim pezullimin e kundërmasave tona deri në fillim të gushtit”, shtoi Von der Leyen.
Vendimi i bllokut erdhi pas njoftimit dje të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për vendosjen e tarifave prej 30% për importet nga Bashkimi Evropian duke filluar nga 1 gushti, pavarësisht negociatave të vazhdueshme për të shmangur një luftë tregtare.
Në një letër dërguar Von der Leyen dhe të postuar në platformën e tij “Truth Social”, ai u ankua për deficitin tregtar “afatgjatë, të madh dhe të vazhdueshëm” që SHBA-ja ka me BE-në, duke akuzuar bllokun prej 27 vendesh për politika dhe barriera tregtare të padrejta.
Trump tha se administrata e tij do të hiqte normën e lartë të tarifave nëse Bashkimi Evropian, ose vendet brenda BE-së, vendosnin të ndërtonin ose prodhonin brenda SHBA-së.
Von der Leyen theksoi sot se BE-ja nuk do të qëndronte duarkryq dhe të vëzhgonte, duke thënë se komisioni i saj do të vazhdonte të përgatiste kundërmasa të mëtejshme në javët e ardhshme, kështu që “blloku ishte plotësisht i përgatitur”. //a.i/