BRUKSEL – Costa: BE-ja e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin konstruktiv me SHBA-në

BRUKSEL, 19 janar /ATSH-ANSA-DPA/- Konsultimet e mia me vendet anëtare te Bashkimit Evropian mbi tensionet e fundit për Groenlandën, tregojnë një vlerësim të përbashkët se vendosja e tarifave doganore do të rrezikonte marrëdhëniet transatlantike, tha sot presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Gjithashtu, kjo do të ishte e papajtueshme me marrëveshjen tregtare BE-SHBA”, shtoi ai.
“Nevojitet gatishmëri për të mbrojtur veten nga çdo formë shtrëngimi”, theksoi Costa.
“Megjithatë, ekziston gjithashtu një gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin konstruktiv me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjitha çështjet me interes të përbashkët”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Costa.
Vendet e Bashkimit Evropian po nxitojnë të gjejnë një përgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të vendosur një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga disa aleatë evropianë nga 1 shkurti.
Udhëheqësit e BE-së do të takohen të enjten, në Bruksel pasi Trump tha se tetë vende evropiane do të përballeshin me tarifa më të larta – derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të siguronin atë që ai e përshkroi si “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës.
Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Britania e Madhe dërguan së fundmi një numër të vogël ushtarësh në një mision zbulimi në Groenlandë si një shenjë solidariteti me Danimarkën, e cila po kundërshton ambiciet e Trump për marrjen e ishullit Arktik – që e ka kontrolluar për rreth 300 vjet. //a.i/